ODIHR, asistencë komisionit për reformën zgjedhore
Një grup ekspertësh mbërritën dje në Tiranë
Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) do t’i japë asistencë teknike komisionit parlamentar për reformën zgjedhore gjatë vitit 2012, përmes vizitës së një grupi ekspertësh në Tiranë në 24-27 janar, bëri të ditur të martën zyra e Prezencës së OSBE-së në Tiranë.
Me ftesë të Kuvendit të Shqipërisë, ODIHR do të ofrojë këshillim për ndryshimet e planifikuara në kodin zgjedhor që do të hartohen nga komisioni i posaçëm, përpara zgjedhjeve parlamentare të 2013-s. "Sipas praktikës së mirë, të pranuar gjerësisht, që ndryshimet në legjislacionin zgjedhor të paraqiten të paktën një vit përpara zgjedhjeve, ODIHR-i është i gatshëm ta ofrojë menjëherë ndihmën e tij. Kjo është pjesë e përpjekjeve më të gjera të ODIHR-it për të ndihmuar shtetet anëtare të OSBE-së, bazuar në kërkesën e tyre, për të siguruar që zgjedhjet të mbahen në përputhje me angazhimet e tyre ndaj OSBE-së dhe me standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike", tha Beata Martin-Rozumiloëicz, drejtuese e Departamentit të Zgjedhjeve në ODIHR.
Një vizitë e parë e një grupi ekspertësh do të zhvillohet në datat 24-27 janar, gjatë së cilës do të zhvillohen takime me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, komisionin e posaçëm dhe grupin e ekspertëve teknikë të zgjedhjeve, si dhe me përfaqësues të partive të vogla politike, shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar.
Mbështetja e ODIHR-it pason raportin përfundimtar të kësaj zyre për zgjedhjet vendore të 8 Majit dhe të opinionit të përbashkët për kodin zgjedhor, të publikuar nga ODIHR-i dhe Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës, në dhjetor 2011.
Ndihma ofrohet përmes një projekti të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, me mbështetje financiare të Mbretërisë së Bashkuar.