Emiri i Katarit takon Putinin: Izraeli nuk iu përmbajt marrëveshjes së armëpushimit në Gazë

Emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani pretendon se Izraeli nuk respektoi marrëveshjen e armëpushimit të janarit në Gazë.
Këtë deklaratë ai e ka bërë teksa është takuar me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë.
“Siç e dini, ne arritëm një marrëveshje muaj më parë, por për fat të keq, Izraeli nuk iu përmbajt kësaj marrëveshjeje”, tha emiri i Katarit, një ndërmjetës kryesor i marrëveshjes.
Ai gjithashtu është shprehur se Doha ka në plan të forcojë marrëdhëniet me Rusinë.
Ndërkohë Putini i tha emirit të Katarit se është e rëndësishme që Moska të diskutojë konfliktin Izrael-Palestinë dhe të ardhmen e Sirisë gjatë vizitës.
Të dy liderët shqyrtojnë marrëveshjet që do të nënshkruhen gjatë vizitës së emirit, të përshkruara nga Kremlini si “shumë të rëndësishme”.
Sheikh Tamim tha gjithashtu se presidenti sirian Ahmed al-Sharaa, një aleat i Katarit, po kërkon të ndërtojë marrëdhënie me Rusinë, pas rrëzimit të Bashar al-Assad, i cili ishte aleat i ngushtë i Rusisë.
/rtsh.al/