Remitancat në rënie, ulen me 7 për qind dërgesat nga emigrantët
Gjatë pesë muajve të parë të këtij viti remitancat kanë pësuar një rënie prej 7 për qind. Në uljen e të ardhurave nga emigrantët ka ndikuar ndjeshëm ulja e dërgesave nga emigrantët që punojnë dhe jetojnë në Greqi. Burime nga Banka e Shqipërisë bëjnë të ditur se për të dytin tre mujor radhazi remitancat kanë pësuar rënie. Sipas Bankës gjatë tremujorit të parë, shqiptarët
që punojnë dhe jetojnë jashtë dërguan në formën e transfertave në Shqipëri rreth 170 milionë euro, ose 13 milionë euro më pak se sa një vit më parë. Burime nga banka bëjnë të ditur se dërgesat e emigrantëve po shfaqin një tendencë të qartë rënëse, që ka nisur që prej vitit 2007. Krahasuar me tre muajt e parë të 2007-ës, dërgesat ishin tremujorin e parë të këtij viti 26.7 për qind më të ulëta. Vitin e kaluar dërgesat e emigrantëve ishin në total rreth 782 milionë euro ose gati 10 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto, duke qenë një nga burimet kryesore të financimit nga jashtë. Sipas një studimi të kryer dy vjet më parë nga banka e Shqipërisë, rezultoi se dërgesat e emigrantëve kanë qenë një nga faktorët kryesorë të zbutjes së varfërisë në vend. Në Shqipëri përfitojnë dërgesa nga jashtë rreth 180 mijë familje dhe banka e Shqipërisë thotë se nëse këto dërgesa nuk do të ekzistonin 40 për qind e këtyre familjeve do të jetonin nën kufirin e varfërisë me më pak se dy dollarë në ditë. Të dhënat e viteve të fundit, po konfirmojnë paralajmërimin e bërë nga FMN dhe Banka Botërore vite më parë se dërgesat janë një burim i përkohshëm financimi dhe se shumë shpejt Shqipërisë do i duhet të gjejë të tjera burime por që ketë radhe i mbivendosen edhe shkaqet nga kriza ndërkombëtare ekonomike.
Të ardhurat
Emigrantët sollën në atdhe 170 milionë euro gjatë periudhës janar-mars 2010, nga 183 milionë euro që patën sjellë në të njëjtën periudhë të vitit 2009. Tremujori i parë i këtij viti ishte më i keqi i regjistruar në këtë drejtim që nga viti 2005. Shkaku kryesor i rënies së remitancave besohet se është ashpërsimi i krizës në Greqi. Të dhëna indirekte tregojnë se gjithnjë e më shumë emigrantë po kthehen përgjithmonë nga fqinji ynë jugor, pasi nuk arrijnë më të gjejnë punë. Vitin e kaluar, emigrantët sollën në atdhe 781 milionë euro ose 52 milionë euro më pak se në vitin 2008. Megjithëse me rënie prej 6.7 përqindësh, remitancat vlerësohen nga ekspertët si shumë të qëndrueshme, për shkak se rënia ishte më e paktë nga ajo që pritet. Banka e Shqipërisë thotë se të ardhurat nga emigrantët varen veçanërisht nga situata e punësimit në Greqi, Itali dhe vende të tjera evropiane. Krahasimi i grafikut të ecurisë së prurjeve të emigrantëve me nivelin e papunësisë në këto vende tregon një korrelacion të konsiderueshëm. Megjithatë, rënia prej vetëm 6.7 përqindësh tregon se emigrantët kanë parapëlqyer të kursejnë në drejtime të tjera dhe jo në shumat e parave që i dërgojnë familjeve në atdhe.
Bilanci i pagesave
Bilanci i pagesave në tremujorin e parë të këtij vitit ka njohur përmirësim, çka nënkupton një pozicionim më të mirë në balancën mes hyrjes dhe daljes së valutës në vend. Ndonëse është mbyllur me një rezultat negative prej 19 milionë eurosh, bilanci paraqitet më i mirë krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2009, kur rezultoi negativ në vlerën e 87 milionë eurove dhe me tremujorin e parë të vitit 2009, kur u mbyll me minus 131 milionë euro. Kontributin më të rëndësishëm në përmirësimin e bilancit të pagesave, e kanë dhënë ulja e deficitit tregtar të vendit dhe ulja e deficitit të llogarisë korrente. Megjithëse deficiti i llogarisë korrente është përmirësuar, një nga zërat më të rëndësishëm, transfertat e emigrantëve kanë njohur rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të ardhurat nga emigrantët për tremujorin e parë kishin vlerën e 170 milionë eurove, nga 183 milionë euro që ishin në tremujorin e parë të vitit 2009. Megjithëse llogaria kapitale në tërësi është përkeqësuar krahasuar me një vit më parë, pozitiv është fakti që në tremujorin e parë të këtij viti janë rritur investimet e huaja direkte. Vlera e tyre ishte 154 milionë euro, nga 120 milionë euro që ishin një vit më parë.
Ornela Manjani