E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT strehë korrupsioni, 2600 ankesa nga pacientët për 6 muaj

Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve: Mitmarrja në shëndetësi është dyfishuar

Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza është kthyer tashmë në një strehë të sigurt korrupsioni, ku pacientëve u duhet që për çdo veprim që kryejnë në spitalin më të madh në vend, të zgjasin dorën duke dhënë ryshfet. Madje si për ironi të fatit skema është e pashmangshme që tek rojet e derës kryesore të cilët në shumicën e rasteve i lejojnë të afërmit e

pacientëve vetëm në këmbim të 2 mijë lekëshit. Më tej xhepat e të sëmurëve por edhe nga të afërmit e tyre, sa vijnë e boshatisen edhe nga kërkesat në shumë raste të drejtpërdrejta se një trajtim i mirë shëndetësor jepet vetëm atëherë kur duhet të dorovitësh mjekun, infermieren apo edhe vetë shefin e pavijonit i cili të ka marrë në patronazh. Edhe pse hasemi përditë me këtë fenomen të shëmtuar e rastet e mitmarrjes sa vijnë e shtohen sërish të tjera statistika publikohen nga kreu i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili jo më shumë se dje deklaroi se korrupsioni në spitale është ulur ndjeshëm. Nga ana tjetër burime nga Shoqata e Mbrojtjes së Konsumatorëve, bëjnë të ditur për gazetën SOT se vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë shënuar rreth 2600 ankesa nga pacientë apo të afërm të tyre të cilët u kanë dhënë para nën dorë mjekëve në spitalin shtetëror në këmbim të një shërbimi më të mirë. Sipas burimeve, theksohet fakti se në ankesat e qytetarëve nga të gjitha zonat e kryeqytetit deklarohet se vetë mjekët, infermierët por në shumë raste edhe shefat e shërbimeve u kanë kërkuar para në mënyra të ndryshme. Ndër të tjera burimet theksojnë faktin se në rastet kur të afërmit e pacientëve nuk u kanë dhënë mjekëve ryshfet, i sëmuri ka qëndruar për një kohë të gjatë pa mjekim e nuk i është kushtuar vëmendje për një kohë relativisht të mjaftueshme për agravimin e sëmundjes apo të shqetësimit që ka pasur pacienti. Madje sipas këtyre burimeve, në raste të tjera kanë qenë vetë infermieret të cilat zakonisht luajnë rolin e ndërhyrësve për dhënien e ryshfetit të cilat u kanë thënë qytetarëve se nëse paguan çdo gjë do të shkojë mirë. Sipas Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorëve, korrupsioni në institucionet shëndetësore, është shtuar dyfish nga viti kaluar, dhe ky fenomen sa vjen e është në rritje, pasi janë shtuar tashmë edhe rastet e mjekëve që u kërkojnë pacientëve para, në mënyrë të drejtpërdrejtë, mënyrë e cila vitin e kaluar sipas ankesave nga qytetarë të ndryshëm, ishte më e ulët.


Precedenti
Edhe pse është deklaruar shumë shpesh se korrupsioni në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza është në nivele më të ulëta se më parë dhe se shumë mjekë ose punonjës të cilët janë evidentuar duke marrë ryshfete janë pushuar menjëherë nga puna, ky fakt nuk është bindës për asnjë. Sërish  korrupsioni duket sikur është ulur këmbëkryq në qendrën më të madhe spitalore në vend. Në vëzhgimet e kryera vazhdimisht nga gazeta evidentohet qartë se edhe vetë sportelistet në disa prej godinave të QSUT-së në këmbim të faturave për të kryer vizitat në konsultë janë të gatshme të marrin në këmbim të faturës pa vulën e mjekut 2 deri në 5 mijë lekë nga vetë pacientët. Edhe pse, ky rast përbën një shkelje askush nuk është penalizuar, e nga drejtoria e QSUT-së nuk është marrë asnjë masë në lidhje me këtë precedent. Në disa prej deklaratave të Ministrit Vasili por edhe në daljet e shpeshta të drejtorisë së QSUT-së është luftuar dhënia e ryshfetit dhe ky veprim është cilësuar si një ndër problemet që është në reduktim nga politikat që është duke ndjekur sistemi shëndetësor. Por gjithkush prej nesh është koshient duke parë se për çdo veprim që kryejmë në spitalet apo poliklinikat shtetërore duhet patjetër të fusim dorën në xhep. Nuk janë të pakta edhe rastet kur në pamundësi të dhënies së ryshfetit nga ana e pacientëve infermieret apo edhe vetë mjekët  kanë neglizhuar në punën e tyre. Pritjet për orë të gjata mbrapa dyerve të spitaleve pothuajse përditë e konstatojnë qartë një gjë të tillë. Në disa prej deklaratave të tij ka qenë vetë Ministri Vasili që ka theksuar faktin se pacientët janë mësuar ti lënë para mjekëve për punën e bërë dhe se kjo ndikon negativisht në mardhëniet mjek-pacient. Por mesa duket Ministri Vasili ka harruar të shtojë faktin se në rastet e tjera kur fatkeqët janë pacientët e vërteta paraqitet krejt e kundërt. Edhe në rastet kur janë evidentuar rastet e ryshfeteve mjekët vazhdojnë të punojnë në klinikat private si të mos kishte ndodhur asgjë.

Operacionet në QSUT, jo më pa firmën e pacientit
Pacienti apo të afërmit e tij, do të jenë të detyruar tashmë që të nënshkruajnë një deklaratë për çdo ndërhyrje kirurgjikale, që do të kryejnë ku pranojnë njohjen e komplikacioneve që mund të kenë gjatë ndërhyrjeve. Për zbatimin e kësaj procedure mjeku do të mbajë përgjegjësi ligjore. Kjo praktikë ka vite që ka hyrë në vendin tonë, por jo në mënyrë taksative. Mjekët e kanë aplikuar prej disa vitesh për të mos patur kotestime nga pacienti, apo të afërmit pas ndërhyrjes. Kjo praktikë zbatohet si procedurë e detyruar në të gjitha vendet e evropës. Para disa ditësh Ministri Petrit Vasili, firmosi një tjetër urdhër sipas të cilit do të kishte planifikim dhe shpërndarje të drejtë të numrit të operacioneve për mjek, duke iu hequr monopolin shefave të shërbimit dhe pavioneve. Sipas urdhrit më të ri të Ministrit Vasili afishimi i listave të operacioneve, mundëson eliminimin e çdo lloj pakënaqësie apo përpjekjeje për veprime korruptive duke bërë të qartë për këdo se kush do ta kryej operacionin dhe kohën kur operacioni do të kryhet. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë kjo e fundit e ka cilësuar, shumë të rëndësishme marrëdhënien mjek-pacient dhe rëndësinë e këtij bashkëpunimi për një trajtim cilësor dhe të shpejt të sëmundjeve. Shpërndarja e operacioneve do të bëhet në mënyrë proporcionale duke aktivizuar të gjithë kirurgët që shërbejnë në repartet e kirurgjisë dhe duke eliminuar kësisoj, përqendrimin e panevojshëm dhe abuziv të operacioneve kirurgjikale në pak duar. Vetëm gjatë këtij viti, Vasili ka nxjerrë një sërë urdhrash të cilat në të shumtën e rasteve nuk janë zbatuar por janë lakuar vetëm ditët e para pas publikimit të tyre e më pas janë harruar nga mjekët e nga infermierët në spital. Madje në lidhje me listën e operacioneve të planifikuara jo më shumë dy javë më parë ka shkaktuar një përplasje midis shefit të një prej pavijoneve, dhe një prej mjekëve të QSUT-së. Shefi i Kardiokirurgjisë Ali Refatllari duke dashur të shpëtonte nga kritika e medias se urdhri i ministrit për operacionet e planifikuara nuk po gjente zbatim, afishoi që prej të hënës një listë me operacionet që do të kryen gjatë javës. Një prej operacioneve të listës ishte operimi i pacientit S. Zogu, nga kardiokirurgu Altin Veshti, por në fund të javës rezulton se operacioni ishte planifikuar qysh prej fillimit të kryhej nga vetë shefi i këtij shërbimi Ali Refatllari.

Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›