E Shtunë, 31 Tetor 2026

Remzi Hoxha, akuza: Pafajësi për Sefgjinin dhe Koldashin

Ilir Kumbaro

Zhdukja, prokuroria kërkon 13 vjet burg për të kërkuarin Ilir Kumbaro.

Pas një procesi që zgjati më shumë se katër vjet, Prokuroria për Krimet e Rënda “zhveshi” dje nga përgjegjësia penale dy nga tre të pandehurit e dosjes së zhdukjes së Remzi Hoxhës. Në seancën e konkluzioneve përfundimtare, Prokuroria kërkoi deklarimin e pafajshëm të të pandehurve Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi. Sipas Akuzës, i pandehuri i tretë në proces, Ilir Kumbaro, aktualisht në kërkim, është i vetmi person që duhet të deklarohet i fajshëm për rrëmbimin e biznesmenit shqiptaro- maqedonas Remzi Hoxha, si dhe të Avdyl Loshajt e Ziso Kristopulit, ngjarje e ndodhur në vitin 1995. Prokuroria kërkoi dënimin e Kumbaros me 13 vjet burg, duke e akuzuar si fajtor direkt. Në materialin përfundimtar prokuroria ndryshoi kualifikimin e veprës penale për të cilën akuzohet i pandehuri Kumbaro. Sipas saj, ai nuk do të akuzohet më për “torturë me pasoja të rënda”, por vetëm për veprën penale të “rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit në rrethana lehtësuese”, kryer në bashkëpunim. Referuar materialit të Prokurorisë, veprimet e kryera nga i pandehuri janë “marrja pjesë në mënyrë aktive në çdo fazë të shoqërimit, ruajtjes, marrjes në pyetje, të qenit të pranishëm, përdorimit të dhunës fizike dhe psikike në dëm të shtetasve Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli”. Në lidhje me bashkëpunimin, në konkluzione citohej: “Themi se vepra penale është kryer në bashkëpunim duke u nisur nga të dhënat e marra nga provat me dëshmitarë, prej të cilave figuron se kanë qenë disa persona që kanë marrë shtetasin Remzi Hoxha, katër persona që kanë marrë shtetasi Ziso Kristopuli dhe disa persona që kanë marrë shtetasin Avdyl Loshaj”. “Në këtë mënyrë, – u shpreh prokurorja Elizabet Imeraj, – argumentojmë se i pandehuri Ilir Kumbaro e ka kryer veprën penale me anë të veprimeve aktive”. Ilir Kumbaro gjykohet në mungesë te Krimet e Rënda. Aktualisht ai rezulton person në kërkim, pasi iu arratis drejtësisë britanike në dhjetor të vitit 2011.
RRËMBIMI
Teksa prokurorja lexoi dje materialin prej 25-faqesh të konkluzioneve, në sallën e gjyqit ishin të pranishëm dhjetëra familjarë të biznesmenit të zhdukur Remzi Hoxha. Prokurorja referoi dhjetëra dëshmi të marra në proces, mes të cilave edhe ato të të vetë të dëmtuarve apo familjarëve të tyre. Në lidhje me Remzi Hoxhën, i cili rezulton i zhdukur, në pretencë përmendej fakti që ai i ka humbur kontaktet me të njohurit e tij që prej datës 21.10.1995, kur është marrë nga persona të panjohur në ambientet e punës së tij në Tiranë. Më pas ai përmendej referuar dëshmisë së Avdyl Loshajt për mbajtjen dhe torturimin e qendrën sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës. “Ka qenë pikërisht ky ambient i izoluar, vendi në të cilin i dëmtuari Avdyl Loshaj deklaron se ka parë kalimthi shtetasin Remzi Hoxha, i cili dukej të ishte nën trysninë e torturave dhe presionit”, thuhej në pretencë. Sipas Prokurorisë, nga gjykimi kishte rezultuar se përveçse u është cenuar liria të dëmtuarve Hoxha, Kristopuli dhe Loshaj, “janë rrahur, keqtrajtuar dhe torturuar nga persona, të cilët kanë qenë punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar”. Referuar pretencës, arsyeja e shoqërimit të të dëmtuarve lidhej me marrjen e informacionit nga ana e punonjësve të SHIK-ut për bashkëveprimin e këtyre shtetasve me njëri-tjetrin kundër interesave të shtetit shqiptar. Po sipas Prokurorisë, “nga ana e SHIK-ut, në mënyrë të përsëritur dhe në shtrirje kohore të ndryshme është kthyer përgjigje se nuk rezulton asnjë dokumentacion në lidhje me shoqërimin, mbajtjen apo veprimeve të tjera të kryera nga ky Shërbim për shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli”.

PËR ARBEN SEFGJININ
Prokurorja e çështjes deklaroi dje në gjykatë se ky i pandehur provohet se nuk e ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar. “Shtetasi Arben Sefgjini ndodhet sot i pandehur për faktin se në kohën e ndodhjes së ngjarjes ka qenë me detyrë zv.drejtor i SHIK-ut në Tiranë. Në asnjë nga provat e administruara gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor nuk rezulton e pasqyruar përfshirja në vepër penale e shtetasit Arben Sefgjini. Në këto kushte, për këtë shtetas duhet vendosur deklarimi i pafajësisë së tij, duke qenë se nuk i ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet”, tha prokurorja në pretencën e paraqitur dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

PËR AVNI KOLDASHIN
Ky shtetas, në bazë të provave të administruara në dosje, rezulton të ketë bërë shoqërimin e të dëmtuarve. Në asnjë moment nuk provohet që ky shtetas të ketë marrë pjesë aktive në marrjen në pyetje të të dëmtuarve dhe aq më pak në kryerjen e veprimeve të dhunshme në drejtim të tyre. Në këto kushte, për të pandehurin Avni Koldashi nuk ka prova të mjaftueshme për fajësinë e tij. Edhe vetë i dëmtuari Ziso Kristopuli në dëshminë e tij thekson një sjellje korrekte nga i pandehuri. Arsyeja e shoqërimit, sipas të pandehurit, lidhet me faktin se për të dëmtuarit kishte të dhëna për veprimtari kundër i interesave shtetërore.

Reagimi i familjarëve
TIRANE – Pretenca u përcoll në heshtje dje brenda sallës së gjyqit nga ana e familjarëve të të zhdukurit Remzi Hoxha. Por, teksa po dilte nga Gjykata, Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhës, përmendi sërish mundësinë e vetëgjyqësisë. “Gjithçka është e programuar. Të ndryshohet akuza dhe të shpallet i pafajshëm një njëri që ka aq prova që ka qenë pjesë e procesit të zhdukjes, është qesharake”, tha Hoxha. Sipas tij, tre të akuzuarit do të përgjigjen në tri nivele. “Së pari ne do të përgjigjemi para Zotit, se besoj që njerëzit e tyre, cilëndo fe që të kenë, besojnë në Zot. Së dyti, do të përgjigjen para sistemit të drejtësisë së shtetit. Se treti, ata do të përgjigjen para ligjit të Kanunit. Unë e kam miratimin nga familja që po të na i gjejnë eshtrat, edhe ua falim gjakun. Në të kundërt, na mbetet që ta zbatojmë ligjin vetë”, deklaroi Ardian Hoxha.

ARMAND BAJRAMI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›