Vritet pacienti te Psikiatriku

Spitali Psikiatrik në Elbasan
ELBASAN/ Drejtori i spitalit: Paralajmërim për pushim 4 punonjësve. Nis hetimi.
Dy të sëmurë mendorë u rrahën me grushte, njëri vdes.
Sherri me grushte i dy pacientëve të spitalit psikiatrik në Elbasan përfundoi tragjikisht me vrasjen e njërit prej tyre. I sëmuri Arjan Laska nga Pogradeci gjeti vdekjen gjatë transportimit për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Policia bëri të ditur se ka nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, pasi dyshohet se ngjarja e rëndë në ambientet e Psikiatrikut do të ishte evituar nëse do të kishte qenë më i vëmendshëm stafi mjekësor. Mësohet se viktima kurohej në spitalin psikiatrik të Elbasanit prej vitesh, pasi ishte i sëmurë mendor. Ngjarja ndodhi natën e së hënës në godinën e pavijonit Nr.5, në sallonin e godinës, ku janë të shtruar të sëmurë mendorë të gradës së fundit. Pas një zënke me pacientin 25-vjeçar M.G., mësohet se ky i fundit e ka qëlluar me grushte. Më pas, 40-vjeçari Laska ka rënë në tokë pa ndjenja. Ai është transportuar menjëherë nga personeli i spitalit psikiatrik për në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Por mjekët pasi konstatuan gjendjen e rëndë të pacientit si dhe faktin se ai vuante nga epilepsia, vendosën ta transportojnë me urgjencë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Por gjatë rrugës ai ka gjetur vdekjen. Policia e sinjalizuar për ngjarjen nisi hetimet. Fillimisht u izolua në dhomë 25-vjeçari, i cili mendohet se është edhe shkaktari i vdekjes së të sëmurit mendor nga Pogradeci. Më pas nisi të marrë në pyetje personelin e turnit të mbrëmjes, dy infermierët, si edhe dy kujdestarët e pavijonit Nr.5. Policia ende nuk ka ndaluar asnjë nga punonjësit e personelit të Psikiatrikut, deri në zbardhjen e ekspertizës, pasi dyshohet se vdekja e 40-vjeçarit mund të ketë ndodhur edhe si pasojë e sëmundjes së epilepsisë. “Po presim përgjigjen e ekspertizës mjekoligjore për rastin në fjalë. Nëse kjo e fundit konstaton se vdekja e pacientit ka ardhur për shkak të goditjes nga një tjetër pacient me të meta mendore, atëherë unë do të marr masa ndaj personelit të turnit. Gjithsesi, aktualisht deri në përfundim të hetimeve i kam komunikuar paralajmërimin për pushim nga puna të dy infermierëve dhe dy kujdestarëve të pavijonit Nr.5″, u shpreh drejtori i spitalit psikiatrik, Kamber Balla.
Kukës, i sëmuri vret të atin
Një 74-vjeçar u ekzekutua nga i biri në shtëpinë e tyre në fshatin Bardhoc të Kukësit. Sali Laçi është qëlluar për vdekje nga i biri 36-vjeçar, Avdiu, rreth orës 15:00 të pasdites së djeshme. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar, si dhe vëllain e tij Vexhi Laçi, 31 vjeç. Kanë qenë fqinj të familjes Laçi që kanë dëgjuar krismat dhe kanë njoftuar menjëherë Policinë, pasi e kanë gjetur pa jetë të moshuarin. Forcat e Policisë kanë konstatuar se dy djemtë ishin larguar nga banesa së bashku me armën e krimit. Nga të dhënat e para që ka mbledhur grupi hetimor dhe pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve më të afërt, rezulton se Sali Laçi është qëlluar pa ndonjë shkak nga i biri, i cili ka qenë në gjendje depresive në momentin e krimit. Nga të dhënat e para rezulton se Avdi Laçi kishte probleme mendore prej vitesh, po ashtu edhe i vëllai dhe ishin të identifikuar si njerëz problematikë në familje. Mësohet se edhe momenti i vrasjes ka ardhur pikërisht si pasojë e problemeve që kishin.
ELBASAN/ MIRANDA SADIKU