E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i drogës, si u lanë të lirë dy vëllezërit nga Shijaku

Hekuran Hoxha dhe vëllai i tij u hetuan për 17 kg heroinë, por u lanë të lirë nga prokuroria

TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në pyetje 18 muaj më parë dy vëllezërit nga Shijaku, të akuzuar për trafikimin e 450 kg heroinë, por më pas i ka lënë ata të lirë. Për llogari të çështjes penale me të pandehur Petrit Xhepën dhe Shpëtim Hushin, prokuroria ka marrë në pyetje dy vëllezërit shijakas, Fatbardh e Hekuran Hoxha, të cilët u arrestuan vetëm pak ditë më parë si të dyshuar për dërgimin nga Shqipëria në Itali të rreth 450 kg heroinë.

Sipas burimeve zyrtare pranë organit të akuzës, mësohet se 18 muaj më parë gjatë fazës hetimore të çështjes penale me dy të pandehurit Hushi e Xhepa, dy vëllezërit Hoxha janë marrë në pyetje në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen. Shkak për marrjen në pyetje të dy vëllezërve Hoxha, është bërë një raport i policisë kriminale e cila dyshonte se droga e sekuestruar në makinën e korrierit Shpëtim Hushi, por e ngarkuar nga i pandehuri Petrit Xhepa ishte e dy vëllezërve Hoxha. Një pretendim i tillë nuk u vërtetua 18 muaj më parë, për tu zbuluar vetëm pak ditë më parë, kur dosja e ardhur nga Italia u përkthye dhe rezultoi se dy vëllezërit Hoxha bashkë me tre bashkëpunëtorët të tyre, Alket Hatija, Saimir Gjepali dhe Mentor Shehu, të cilët u identifikuan si anëtarë të këtij rrjeti të fuqishëm të trafikut të drogës ishin pronarë të kësaj lënde narkotike.

Edhe pse prokurori i çështjes, gjatë fazës hetimore të dy të pandehurve Hushi dhe Xhepa nxorri në pah disa dyshime, ishin organet e policisë të cilët nuk vazhduan hetimet e hollësishme, pasi përveç këtyre dyshimeve janë kryer edhe një sërë procedurash të tjera hetimore, si verifikimin e pasurisë së tyre dhe bizneset me të cilën ata merren. Por edhe për kundër këtyre veprimeve, gjithçka ka mbetur në letër në pezullimin e hetimeve ndaj tyre nga prokuroria dhe delegimin e dosjes në policinë e Durrësit për të vazhduar hetimet.

Ndërkohë, pas një procesi të gjatë gjyqësor, u vërtetua se nipi i dy vëllezërve Hoxha, Petrit Xhepa ishte personi që ka paketuar sasinë e drogës prej 17 kg heroinë, e cila u sekuestrua në makinën e emigrantit Shpëtim Hushi i cili po kthehej për në Itali nga porti i Durrësit. Për kryerjen e këtij veprimi kriminal, Gjykata e Krimeve të Rënda në përfundim të hetimit gjyqësor vendosi dënimin me 16 vjet burg për të pandehurin Petrit Xhepa dhe 13 vjet burg për korrierin Shpëtim Hushi. Dosja e dy këtyre të pandehurve tashmë ndodhet në duart e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila pritet ta shqyrtojë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›