E Shtunë, 31 Tetor 2026

Renato lë shtëpinë e Big Brother

Një mbrëmje me të vërtetë të larmishme ka ofruar spektakli i natës së mbrëmshme i “Big Brother Albania” në “Top Channel”. Gjimi ka hyrë në shtëpi i shoqëruar me një “banore të infiltruar” nga “Vëllai i Madh”, e cila quhet Enxhi. Për mosrespektimin e rregullave të vendosura prej “Big Brother”, Erioni ka qenë banori i ndëshkuar. Ai do të vazhdojë të qëndrojë në shtëpinë e vjetër deri në një vendim të dytë. Sakaq, mbrëmjen e djeshme një surprizë e bukur i është rezervuar Oltës. Xhoi, qenushi i saj, miku më besnik, ka qëndruar për pak kohë brenda ambienteve të shtëpisë së “Big Brother”.

Eliminimi i Renatos

Momenti i eliminimit të njërit prej banorëve të shtëpisë sigurisht që është pritur me mjaft tension si prej banorëve ashtu edhe prej publikut. Seldi, Domenika, Jetmiri, Olta, Renato dhe Eduardi, banorët e nominuar, janë zhvendosur në atë që quhet “Dhoma e rrezikut”. Përmes televotimit publiku ka vendosur që Renato të largohet përfundimisht nga shtëpia e “Big Brother Albania”.

Gjimi, një surprizë për banorët

Gjimi, i cili ka përjetuar momente të vështira, por edhe të bukura në shtëpinë e “Big Brother” ka qenë dje i pranishëm në studio për ta ndarë këtë eksperiencë me publikun. Pas kësaj Arbana lajmëron se ai do të futet në një nga dhomat e shtëpisë së “Big Brother”. Ai gjendet aty në një ambient të përshtatur si dhomë spitali i shoqëruar nga një infermiere mjaft tërheqëse. Dhe lajmëron banorët se Gjimi do të kthehet në shtëpi për të vazhduar aventurën e tij. Pasi hyn në shtëpi bashkë me infermieren, e pas bisedave të rastit, prezantuesja e spektaklit u thotë banorëve se ishte vetëm një shaka dhe fton Gjimin të largohet. Në të njëjtën kohë ajo u prezanton infermieren si një konkurrente të re. Vajza quhet Enxhi. Megjithatë, edhe pjesëmarrja e saj në shtëpi është vetëm një lojë e “Vëllait të Madh”, i cili ka menduar që Enxhi të qëndrojë brenda ambienteve si një e infiltruar. Ajo do të largohet prej aty kur “Vëllai i Madh” ta mendojë të arsyeshme. Detyra e saj do të jetë të provokojë reagime mes banorëve për të ndihmuar në këtë mënyrë publikun të kuptojë se cilët janë ata me të vërtetë.

Zarfi i zi dhe zarfi i bardhë

Në studion e “Big Brother” gjenden dy zarfe, një i bardhë dhe një i zi. Brenda zarfit të bardhë gjendet një surprizë për banorët. Banorët e shtëpisë së vjetër janë transferuar në shtëpinë e re. Ky lajm ka shkaktuar mjaft gëzim te të gjithë ata. Pas kësaj Arbana komunikon se çfarë gjendet brenda zarfit të zi. Ai përmban masa ndëshkuese për banorët që nuk kanë respektuar rregullin e vendosur prej “Vëllait të Madh” që të mos shkëmbenin objekte a ushqime e të mos kalonin gardhin mes shtëpive. Më të pabindurit mes tyre ka qenë Erioni dhe Jetmiri. Ata shkojnë në dhomën e rrëfimit dhe Arbana u komunikon se do të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpinë e vjetër derisa “Big Brother” ta mendojë të arsyeshme. Në të njëjtën kohë, “Vëllai i Madh” u ka dhënë mundësi që të mund të komunikojnë me banorët e tjerë. Në shkëmbim të faljes u është dhënë një mision. Brenda javës Erionit dhe Jetmirit do t’u duhet të zbulojnë të paktën një të fshehtë që ka të bëjë me të paktën tre banorë të shtëpisë dhe ta tregojë në dhomën e rrëfimit.

Prova e javës

Prova javore, e cila kishte të bënte me përgatitjen e disa gatimeve tipike (me patate për banorët e vjetër e me midhje për banorët e shtëpisë së re), si dhe me realizimin e disa skulpturave gastronomike, është vlerësuar nga një “gjykatës i denjë”, siç e quajti Arbana gjatë prezantimit. Klodi nga shtëpia e vjetër dhe Domenika nga shtëpia e re kanë paraqitur para Dorit, që para pak kohësh përgatiti koktejet me fruta për banorët, gjithë sa kishin përgatitur. Ai vlerëson punën dhe fantazinë e banorëve të shtëpisë së vjetër sikundër edhe atë të shtëpisë së re. Ai vlerëson të dyja shtëpitë me notën 7 dhe 8. Në këtë mënyrë banorët e fitojnë provën e javës. Buxheti i tyre javor konfirmohet 600 lekë për person në ditë.

Xhoi, qenushi i Oltës në shtëpi

Olta ka qenë banorja për të cilën “Vëllai i Madh” ka menduar të bëjë një surprizë. Ajo ka një mik shumë besnik, i cili e shoqëron ngado, flenë bashkë dhe janë lidhur me njëri-tjetrin prej shumë kohësh. Gjatë kësaj periudhe ata e kanë ndier mjaft mungesën. Ai quhet Xhoi dhe është një qenush. Pas prezantimit të një videomesazhi Arbana komunikon se Xhoi gjendet në shtëpi. Qenushi qëndroi për pak kohë bashkë me Oltën dhe me banorët e tjerë në shtëpi.

Edi dhe Rezi, dashuri në “Big Brother”

Arbana thotë se janë vënë re se kanë filluar të gërshetohen ndjenjat. Në shtëpinë e “Big Brother” kanë filluar të shfaqen simpatitë dhe pëlqimin që ka dikush ndaj dikujt tjetër. “Vëllai i Madh” ka shfaqur një klip, ku Eduardi, shpreh ndjenjat ndaj Rezartës. Arbana i kërkon Edit dhe Rezartës të dalin në oborr. Ata përqafohen. Edi i thotë Rezit se i pëlqen shumë dhe se ndien shumë për të. “Dua që dhe Rezi të ndihet mirë”, thotë ai dhe ajo i thotë se ai e bën të ndihet mirë gjithmonë. Arjani e pyet nëse ishte dashuri me shikim të parë dhe ai i përgjigjet po dhe se nuk kishte lidhje me nominimin. Arjani e pyet Rezartën nëse është në kufijtë e edukatës apo të ndjenjave dhe ajo përgjigjet se është në kufijtë e ndjenjave.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›