Renditja e IFFHS-së: Barcelona është klubi më i mirë i vitit. Ndjekin çelsi e Mançester Junajtid
Tirana e Vllaznia janë mes 350 klubeve më të mira të futbollit në botë. Renditja e IFFHS-së për klubet më të mira në vitin 2009: përllogaritjet janë bërë për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2009. Tirana është skuadra më mirë nga ekipet shqiptare të këtij viti: bardheblutë renditen në vendin e 286-të, pozicion të cilin e ndan me pikë të barabarta me pesë skuadra të tjera. Në krye të 6 skuadrave më pikë të barabarta pozicionohet skuadra angleze e Blekbërn Rovers, pas tyre vijnë dy skuadrat argjentinase Racing Club Avellaneda e CA Hurakan Buenos Aires dhe klubi slloven i MFK Košice. Kampionët në fuqi të Shqipërisë, të cilët një sezon më parë renditeshin në vendin e 299-të, janë ngritur me 13 vende, duke lënë pas skuadrën spanjolle të Osasunës, edhe pse me të njëjtat pikë. Ndërkohë që skuadra e dytë shqiptare e cila pasqyrohet në renditjen e Institutit Botëror të Statistikave dhe Historisë të Futbollit) “IFFHS” është pikërisht Vllaznia e Shkodrës, e cila mbajti edhe titullin e nënkampiones së Shqipërisë. Skuadra shkodrane, në renditjen e IFFHS-së u pozicionua në vendin e 345-të me pikë të barabarta me skuadrën spanjolle të Gedafes, 64.0. Po ashtu, në kuotën e të njëjtave pikë, por një vend më poshtë, është renditur edhe ekipi i njohur gjeorgjian FC WIT Georgia Tbilisi. Për sa i përket pozicionimit të shkodranëve jemi të detyruat të theksojmë, se Vllaznia, e cila renditej e 342-ta në fundin e vitit të kaluar, ka pësuar një humbje prej 3 vendesh në lidhje me klasifikimin vjetor të 2009-s. Për sa i përket skuadrës më të mirë të vitit 2009, vendi i parë i shkon Barcelonës. Kampionët e Spanjës, Europës dhe të botës drejtojnë në fakt klasifikimin IFFHS-së. Pas tyre vijnë çelsi e Mançester Junajtid. Kompletojnë top-10 Shakhtar Donetsk, Verder Bremen, Hamburg, Arsenal, Estudiantes, Kruzeiro e Galatasaray.