E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmuesi qëndron në Bundesligën II gjermane, transferohet në formë huazimi

Edmond Kapllani do ta vazhdojë sezonin 2009-2010 te TuS Koblenci. Në këtë mënyrë, sulmuesi i Kombëtares shqiptare qëndron në Bundesligën II, pas vuajtjeve në gjysmën e parë të sezonit me Augsburgun. Klubet e kategorisë së dytë gjermane kanë gjetur akordin që 27-vjeçari të huazohet deri më 30 qershor 2010, ndërsa lojtari është nën kontratë me Augsburgun deri në verën e vitit të ardhshëm. Kapllani bëhet lojtari i shtatë shqiptar që do të mbrojë ngjyrat e TuS Koblencit në këtë edicion. Ai i është bashkuar “kolonisë” së përbërë nga Ervin Skela, vëllezërit Shefki dhe Njazi Kuqi, Renaldo Ramës, Shqipran Skeraj dhe Aljmir Muratit.
Për ish-lojtarin e Partizanit dhe Besës në kampionatin shqiptar, ky do të jetë klubi i tretë në Gjermani, që prej 1 korrikut 2004, kur ai vendosi të provonte aventurën jashtë vendit. Fillimisht Kapllani u transferua te Karlsruhe, falë “sponsorizimit” të ish-trajnerit të Kombëtares, Hans-Peter Brigel, i cili bindi drejtuesit e klubit që të paguanin 250 mijë euro për kartonin e sulmuesit. Impakti në futbollin gjerman nuk ishte i mirë: durrsaku e kishte mjaft të vështirë që të adaptohej me stilin e ri të futbollit dhe në 15 ndeshje realizoi vetëm një gol. Në sezonin 2005–‘06 Kapllani fitoi formacionin titullar, duke realizuar gjashtë rrjeta në 25 ndeshje.
Sezoni i tij më i mirë ishte pa dyshim kampionati 2006–‘07, ku u pozicionua i dyti në klasifikimin e golashënuesve më të mirë të Bundesligës II me 17 gola në 30 ndeshje, vetëm dy gola më pak se shoku i skuadrës, Xhovani Federiko. Të dy këta futbollistë ndihmuan Karlsruhen që të ngjitej në Bundesligë pas nëntë vitesh mungesë, por aventura e shqiptarit në elitë nuk ishte e mirë: ai luajti si titullar 14 nga 28 ndeshjet ku u aktivizua, duke realizuar vetëm dy gola. Edicioni 2008-2009 ishte edhe më i vështirë për kuqeziun, që në 20 ndeshje u aktivizua vetëm 6 herë nga minuta e parë. Sulmuesi shënoi vetëm një gol në raundin e parë të Kupës (DFB-Pokal), Karlsruhe ra nga kategoria, ndërsa Kapllani u transferua te Augsburgu (në Bundesligën II) si lojtar i lirë.
Por, edhe te kjo skuadër fati i tij nuk ndryshoi. Trajneri Jos Luhkai nuk e kishte lojtarin në planet e tij dhe këtë e konfirmon aktivizimi i pakët: vetëm tri ndeshje dhe asnjëherë 90 minuta në fushë. Në javën e parë të kampionatit, shqiptari luajti 62 minuta kundër Energie Kotbuz dhe më pas u zëvendësua, ndërsa “shansi” i dytë ishin 19 minuta kundër Alemania Ahen. Ai luajti edhe 12 minuta në sfidën e Kupës kundër Duisburgut.
Pavarësisht momentit të vështirë që po kalon Edmond Kapllani, afrimi i tij është pritur me mjaft bujë te TuS Koblenci. Skuadra rrezikon seriozisht mbijetesën në Bundesligën II, pasi e mbylli gjysmën e parë të sezonit në vendin e parafundit, me vetëm 12 pikë në 17 javë. Shqiptari i shtatë i skuadrës shihet si një prej elementëve që mund të bëjnë diferencën në fushën e lojës dhe mund të ndihmojnë ekipin që të mos bjerë në Ligën 3. Kjo lëvizje është mjaft pozitive edhe për sulmuesin, i cili pritet të përshtatet lehtësisht, falë ndihmës së bashkatdhetarëve të tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›