Rëndohet gjendja e minatorëve, 10 ditë në grevë
BULQIZE- Minatorët e Bulqizës kanë hyrë sot në ditën e 10-të të grevës së urisë. Gjëndja e tyre mësohet se është mjaft e rënduar, ndërsa një ditë më parë dy minatorë kanë lënë grevën për shkak të rëndimit të gjendjes së tyre shëndetësore. Pas daljes së dy minatorëve, aktualisht në thellësinë 1400 metra nën tokë vazhdojnë grevën e urisë 13 minatorë, ndërsa kolegë dhe familjarë vazhdojnë ti mbështesin jashtë ambjenteve të galerisë ku janë ngujuar minatorët grevistë.
Liman Isufi, 44 vjeç dhe Gentian Ndreu, 29 vjeç kanë lënë grevën në ditën e 9-të për shkak të problemeve me shëndetin.
Minatorët ka deklaruar vazhdimin e grevës edhe pas pranimit nga kompania konçesionare, ACR të rritjes së pagës më 20%.
Mbrëmjen e djeshme kreu i Bashkisë Bulqizë, Roland Keta ka patur një takim me kreun e Konfederatës së Minatorëve, Kol Nikollaj, ku më pas është takuar edhe me minatorët grevistë. Keta deklaroi më pas se do të ulë në tavolinë minatorët dhe përfaqësuesit e kompanisë ACR, pasi sipas tij, një pjesë e kërkesave janë të zgjidhshme. Sot pritet që Keta të ndërmarrë hapa konkret drejt uljes së dy palëve në tavolinë.
Minatoret kerkojne rritje page tashme ne masen 40%, permiresim te kushteve te punes, uljen e moshes se daljes ne pension dhe largimin e perfaqesuesit te kompanise ACR.