E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rëndohet situata, nesër në protestë Juridiku dhe Shkencat Sociale



Nesër do të nisë një protestë e re përpara Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës. Nuk bëhet fjalë për çështjen e diplomave, por për ndërtesën e Fakultetit të Drejtësisë dhe atij të Shkencave Sociale. Burime nga Këshilli Studentor i Universitetit të Tiranës kanë bërë dje të ditur për “standard” se prej ditës së nesërme do të nisin protesta masive të studentëve të këtyre fakulteteve. Ndërkohë, mësohet se në krah të tyre do të rreshtohen edhe pedagogët e dy fakulteteve, të cilët do të kërkojnë mjedise të reja mësimore. Ndërkaq, edhe studentët e fakulteteve të Historisë dhe të Filologjisë dhe atij të Gjuhëve të Huaja kanë paralajmëruar një tjetër protestë për çështjen e diplomave.

Ndërtesa e Juridikut

Protesta pritet të zhvillohet përpara mjediseve të Ministrisë së Arsimit. Burime nga Këshilli Studentor bëjnë të ditur se kërkesa e tyre do të jetë gjetja e një zgjidhjeje përfundimtare për çështjen e ndërtesës ku mësojnë. Ata do të kërkojnë përcaktimin e një ndërtese, që do të mund të përballojë të gjithë studentët e fakulteteve dhe të jetë ndërtesa përfundimtare ku ata do të zhvillojnë mësim.

Gjatë kësaj periudhe studentët e Shkencave Sociale dhe Drejtësisë janë shpërndarë në ndërtesa të ndryshme, si kinoklubi i Qytetit Studenti, Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe shkolla të mesme. Problemi nisi në dhjetor të vitit të kaluar kur shembjet e Fakultetit të Drejtësisë u cilësuan si të rrezikshme për jetën e studentëve dhe pedagogëve.

Për këtë arsye, ata bojkotuan mësimin, në pritje të një komisioni që do të përcaktonte nëse përbënte rrezik apo jo ndërtesa. Komisioni arriti në përfundimin që në këtë godinë nuk mund të zhvillohet mësim.

Protesta

Protesta të Fakultetit të Shkencave Sociale janë zhvilluar edhe gjatë ditëve të kaluara, por kanë qenë të paorganizuara dhe pa përkrahjen e pedagogëve. Ata kishin deklaruar se nuk do të paguajnë taksën e mirëmbajtjes së shkollës, pasi ata nuk kanë një ndërtesë dhe derisa të gjendet zgjidhja, janë të detyruar të gjejnë “strehim” në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.

“Ne nuk do të paguajmë taksën. Të gjithë studentët janë në protestë, por pedagogët nuk na mbështesin në kërkesat tona. Ne do të protestojmë derisa kërkesat tona të merren parasysh, - kishte thënë njëri prej studentëve. - Ne zhvillojmë mësim në kushte mizerabël, sa në një ndërtesë në një tjetër”.

Tashmë, së bashku me ta do të rreshtohen edhe studentët e tjerë, nën mbikëqyrjen e Këshillit Studentor, si edhe pedagogët e dy fakulteteve. Në të njëjtën kohë, pritet edhe vazhdimi i protestës për diplomat, duke paralizuar në këtë mënyrë jetën akademike në vend gjatë ditës së nesërme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›