E Shtunë, 31 Tetor 2026

Norma e interesit dhe huatë që sjellin paranë



Banka e Shqipërisë kërkoi përpara pak ditësh të bëhet kujdes dhe uli me 0.5 për qind normën e interesit të marrëveshjeve të riblerjes. Ka që mendojnë se reagoi vonë, të tjerë mendojnë se u nxitua që i uli, ngaqë sistemi ynë bankar duket i shëndoshë. Sido që të jetë, kjo masë përkujdesjeje për momentin nuk prek depozitat, burimet kryesore nga bankat sigurojnë paranë letër. Por duhen parë edhe burime të tjera. Një nga këto është huaja ndërkombëtare. Qeveria do të marrë hua rreth 250 milionë euro këtë vit dhe për t’ia ofruar këto para janë vënë në radhë disa banka të mëdha ("Deutsche Bank", "Citi Group", "Credit Swiss", "Raiffeisen" etj. ). Eksperti i Kryeministrit. Selami Xhepa nuk mendon keq kur këshillon të kërkojmë edhe hua të tjera. Po pse kështu? Sepse vendi në vijim të këtij viti do të ketë nevojë për të siguruar para. Disa burime po pakësohen. Së pari, të ardhurat nga emigrantët. Një kategori që e kupton pakësimin menjëherë janë dentistët. Zakonisht emigrantët vijnë në muajt korrik-gusht apo dhjetor dhe gjëja e parë që bëjnë janë dhëmbët, pse mjekimi, kurimi apo vënia e dhëmbëve të rinj kushtojnë njëzet herë më shumë në vendet ku punojnë (ngaqë shumica e emigrantëve nuk janë në skemat e tyre të sigurimit shëndetësor). Kështu që edhe muajt më të frytshëm për dentistët tanë janë korrik-gushti dhe dhjetori. E pra, ky dhjetor ka qenë gati joekzistent për të ardhurat e dentistëve, gjë që do të thotë se edhe pse shumica e emigrantëve erdhi sërish të vizitojë të afërmit dhe të festojë, nuk solli para ose të paktën ata nuk shpenzuan gjë. Akoma më tepër, një kambist i tregut joformal u shpreh se “emigrantët erdhën, morën paratë e qerave të apartamenteve apo dyqaneve të tyre dhe i kthyen në euro e pastaj këto euro i morën me vete”. Me fjalë të tjera, nga kjo sjellje e emigrantëve për shkak të krizës në vende si Greqi apo Itali ku ata jetojnë, vendit tonë do t’i mungojnë të paktën 250-300 milionë euro këtë vit. Rreth njëqind milionë më pak (të paktën) do të arkëtojë eksporti. Ja përse duhet të shikohet mundësia që qeveria të kërkojë hua të reja. Dhe këtë ta bëjë që tani, jo kur të jemi më në siklet dhe kjo hua të sigurohet shumë më e shtrenjtë apo më e keqja, të mos sigurohet fare. Kjo do të ishte një masë për të mos i shkaktuar vendit uri për para. Një masë tjetër, shumë më afatgjatë dhe në dobi e pa kosto, është mbështetja e prodhimit vendas. Qeveria duhet ta kishte zgjidhur shumë më tepër qesen për të ndihmuar drejt për së drejti sektorë si bujqësia apo turizmi. Tek turizmi është një strukturë që askush nuk po kujdeset, e parashikuar nga ligji i ri i turizmit i miratuar në maj 2007. Ajo quhet Fondi për Zhvillimin e Turizmit dhe deri tani për këtë vit për të nuk është parashikuar as edhe një qindarkë. Bujqësia mori 15 milionë dollarë, por ndryshimin do ta kishte bërë një ndihmesë e drejtpërdrejtë dhjetë herë më e madhe. Megjithatë, nuk është kurrë vonë që prodhimi dhe sidomos ai për eksport të nxiten edhe tani që buxheti i shtetit 2009 është aprovuar. Për shembull, programi shtetëror për mbështetjen e eksportit mund të marrë të paktën edhe ai dhjetë herë më shumë fonde (nga rreth 300 mijë dollarë që ka pasur deri tani). Nëse një euro e qeverisë derdhet që të eksportohen tre euro prodhim vendas, këto tre euro ndihmojnë realisht vendin që ta kalojë krizën me sa më pak probleme dhe të përballojë nevojën për para që do të lindë në një të ardhme të afërt. Kurse nxitja e turizmit ka nevojë të bëhet në pikat nga ku vitin e kaluar patëm aq shumë turistë. Për shembull, nga Maqedonia fqinje erdhën në jugun tonë treqind mijë turistë jo shqiptarë (nuk kishte bërë vaki më parë kaq shumë maqedonas). Po kështu, njëqind mijë malazezë zgjodhën Velipojën e Shëngjinin, që janë shumë më të lirë sesa Budva e tyre. Është në Shkup dhe në Podgoricë që mund të sigurojmë më shumë turistë dhe të tregojmë më shumë turizmin tonë këtë vit, se deri tani ia kemi parë hajrin pjesëmarrjes në panaire si ai i Berlinit apo i Londrës (ku prurja konkrete e turistëve ka qenë apo jo disa dhjetëra). Po ashtu, duhet të pastrojmë si duhet dhe në vijimësi plazhet dhe rrugët tona kombëtare nga vijnë turistët. Një ambient më i pastër është më mikpritës dhe me siguri nja dy-treqind mijë më shumë do të na vijnë nga rezultati i pastërtisë. Por këta dy-treqind mijë përkthehen në të paktën dy-treqind milionë euro më shumë para të futura në Shqipëri. Me këtë synim e pasion duhet të punojmë të gjithë, qeveri, opozitë e institucione vrojtimi apo shkencore.

Fatos Çoçoli

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›