Në pranga nënoficeri i Policisë Ushtarake, shkatërrohet banda e grabitësve
Një nënoficer i Policisë Ushtarake dhe gjashtë persona të tjerë, pjesë e një bande përgjegjëse për një sërë vjedhjesh, u shkatërrua nga policia e Tiranës. Agjentët e policisë në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit të Tiranës organizuan operacionin “Fenix”, ku vunë në pranga Pajtim Cahanin, 24 vjeç, Ermal Didën, 24 vjeç, Ismail Gjanën, nënoficer në Policinë Ushtarake, Behar Rexhën, 18 vjeç, Besmir Toçillën, 23 vjeç dhe Gazmir Shehun.
Sipas policisë së Tiranës, arrestimi i tyre u krye pasi hetuesit kanë zbardhur disa nga grabitjet me armë dhe dhunë të ndodhura në kryeqytet dhe në Durrës.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë, Qarku Kukës, pas një hetimi njëmujor, u arrit dokumentimi ligjor i një sërë vjedhjesh me armë të realizuara në kryeqytet, në kohë e vende të ndryshme.
Shtatë personat e vënë në pranga në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përgjatë periudhave kohore tetor-nëntor-dhjetor të vitit 2008 dhe në fillim të këtij viti, dyshohet se kanë kryer një sërë veprash të rënda penale si: “vjedhje me dhunë”, “vjedhje me armë”, “vjedhje të pasurisë së tjetrit”, “shkatërrim prone me eksploziv”, “armëmbajtje pa leje”. Ata janë shoqëruar për në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës, për të marrë masën e arrestit. Nga hetimet e kryera rezultoi se të shtatë personat e arrestuar janë autorë të 10 vjedhjeve me armë të ndodhura në Tiranë dhe Durrës.
Sipas burimeve nga policia, është dokumentuar implikimi i tyre në disa ngjarje. Kështu
Në muajin gusht kanë kryer vjedhjen me armë të një kosovari të ndodhur në qytetin e Durrësit, ku dyshohet se kanë marrë shumën e parave prej 2 000 eurosh.
Më pas, në muajin nëntor 2008, në “Rrugën e Durrësit” në Laprakë dyshohet se kanë vjedhur me thyerje lokalin “Dibra” në pronësi të një qytetari. Gjatë muajit dhjetor ata kanë kryer 5 grabitje me armë në kryeqytet.
Më datë 8 dhjetor 2008, në rrugën “Lord Bajron” Tiranë, dyshohet se kanë vjedhur me armë minimarketin në pronë të një qytetari.
Më datë 10 dhjetor 2008, në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, dyshohet se kanë vjedhur me armë marketin në pronësi të një qytetari.
Më datë 11 dhjetor 2008, në Bathore, dyshohet se kanë realizuar vjedhjen me armë të një marketi. Më datë 12 dhjetor 2008, në Kamzë, dyshohet se kanë shkatërruar me eksploziv automjetin në pronësi të një qytetari
Më pas, më datë 19 dhjetor 2008, në fushën e aviacionit, dyshohet se kanë vjedhur me armë dy persona.
Në muajin janar kanë kryer edhe tri grabitje të tjera. Më datë 4 janar 2009, në fushën e aviacionit kanë vjedhur me armë marketin në pronësi të një qytetari. Më datë 8 janar 2009, vjedhjen me armë të një banese në fshatin Rrushbull, Durrës. Më datë 10 janar 2009, në fshatin Laknas, dyshohet se kanë realizuar vjedhjen me armë të një familjeje.
Sipas burimeve nga policia, strukturat e hetimit të krimit të policisë së kryeqytetit po punojnë intensivisht për dokumentimin ligjor edhe të një sërë ngjarjesh të tjera të rënda për të cilat është i dyshuar ky grup autorësh. Të shtatë të arrestuarit akuzohen për konsumim të veprave penale të “vjedhjes me dhunë”, “vjedhje me armë”, “vjedhje të pasurisë së tjetrit”, “shkatërrim prone me eksploziv” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Mjetet e sekuestruara:
Dy pistoleta
një granatë hedhës i lehtë, kundërtank
4 automjete
13 telefona celularë
një televizor plazma
një kompjuter laptop.
Personat e arrestuar
Adnand Dauti, 22 vjeç, banues në Kukës, i proceduar më parë për veprën penale të vjedhjes.
Pajtim Cahani, 24 vjeç, banues në Babrru.
Ermal Dida, 24 vjeç, banues në Durrës.
Ismail Qemal Gjana, 24 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë nënoficer në Policinë Ushtarake.
Behar Rexha, 18 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për marrëdhënie seksuale me dhunë
Besmir Toçilla, 23 vjeç, banues në Kukës, i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes.
Gazmir Shehu, 23 vjeç, banues në fshatin Kavajë