E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Bllokmenët të mos guxojnë më të përsërisin 21 janarin

Kryeministri Sali Berisha festoi dje, së bashku me qytetarët demokratë, 20-vjetorin e përmbysjes së diktaturës në Shqipëri. Ai mori pjesë në koncertin e madh festiv, të organizuar me rastin e 20-vjetorit të përmbysjes së regjimit totalitar, simbol i së cilit u bë rrëzimi i bustit të diktatorit Hoxha, më 20 shkurt të vitit 1991, nga qytetarët e Tiranës.

“Jemi mbledhur sot, në këtë shesh, të festojmë së bashku një nga ngjarjet më të rëndësishme, në historinë e lirisë dhe të dinjitetit të qytetarëve shqiptarë, 20 shkurtin, ditën e përmbysjes së bllokut bunker komunist, ditën e përmbysjes së shtatores së diktatorit Enver Hoxha, si dhe ditën kombëtare të kujtesës së martirëve dhe viktimave të sistemit barbar komunist”, - tha Berisha në fillim të fjalës. Kryeministri shtoi se 20 vjet më parë, studentët liberatorë të Universitetit të Tiranës do të ngujoheshin në grevën epike të urisë, për heqjen e emrit të diktatorit Enver Hoxha, universitetit në të cilin ata studionin. “Studentë, studente, burra dhe gra, që në vitin 1991 përmbysën bllokun dhe shtatoren e diktatorit, që për gjysmë shekulli mbolli terror, shkatërrim, vdekje, kanë 20 shkurtin ditën e lirisë së tyre sublime, ditën e ngadhënjimit, guximit, trimërisë së tyre, mbi terrorin, dhunën, tanket, skuadrat e pushkatimit, të diktaturës më të egër , më çnjerëzore që Evropa ka njohur. 20 shkurti është një datë që përmbysi bustin e diktatorit është vendimi i jetës së tyre, me të cilën ata bënë të lirë veten e tyre, familjen, ditën në të cilën Partia Demokratike, opozita shqiptare më e re e asaj kohe do të organizonte dhe do të shënonte një nga fitoret më të mëdha, në tërë historinë e kombit dhe do të shndërrohej në një nga forcat më të fuqishme antikomuniste, në Europë”, - tha Berisha. Gjatë fjalës së tij, Berisha iu referua edhe ngjarjes së dhunshme të 21 janarit, duke atakuar opozitën. “Bllokmenët e rinj, njësoj si etërit e tyre, që etiketonin qindra e qindra herë në ditë, si imperialiste, qeveritë e vendeve anëtare të NATO-s, sot ata etiketojnë qeverinë tuaj, qeverinë e vendit anëtar të NATO-s si qeveri fashiste, qeveri që duhet përmbysur.

Ne u themi nga kjo tribunë pinjollëve të bllokut se njëherë e provuat më 21 janar, dhe mos guxoni më kurrë ta provoni se kjo qeveri legjitime, rendi kushtetues i një vendi anëtar të NATO-s nuk mund të përmbyset kurrë me dhunë. Institucionet kushtetuese të një vendi të lirë janë kështjellat e lirisë. Mjerë ata që guxojnë t’i prekin ato”, - tha Berisha. Kryeministri vijoi më tej: “Sot, pas 20 vitesh, bijtë e atyre që firmosën varjen e disidentëve shqiptarë, në sheshet e qyteteve tona apo që ekzekutuan në kufij të rinj shqiptarë, vitin e kaluar ndërmorën fushatën e turpit, bënë gjithçka për të futur vizat tuaja, në kutitë e tyre turpit, por dështuan. Sot, ju lëvizni të lirë, jeni më të lirë se kurrë në jetën tuaj. Ne mbajtëm premtimin tjetër të madh të jetës sonë”. Duke folur pikërisht për vizat dhe 21 janarin, Berisha shtoi: “Unë jam i bindur se çdo shqiptar, pavarësisht nga bindjet politike, e ka të qartë se këto qëndrime janë në kundërshtim me interesat e tij jetike, personale dhe familjare, me interesat e kombit dhe të Shqipërisë. Ata janë interesave të kloneve puniste-mafioze, që sot njëlloj si bllokmenët e 20 viteve më parë, u thonë jo interesave tuaja, u thonë jo, interesave të fëmijëve tuaj, u thotë jo thirrjeve të miqve në mbarë botën”. Pas përfundimit të fjalës, Berisha është takuar me deputetët demokratë dhe ministrat që ishin vendosur në rresht të parë. Prania e Berishës në koncertin e djeshëm është shoqëruar me forca të mëdha sigurie, që ndryshe nga çdo herë tjetër kanë qenë të mëdha në numër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›