Rregullorja, Shehu: Të hiqet diskutimi i lirë
TIRANË Jo vetëm që nuk pranohet votimi i fshehtë në Kuvend, por demokratët po shikojnë edhe mundësinë e heqjes fare të debatit të lirë prej 60 minutash në rregulloren e Kuvendit. Ky variant është hedhur dje nga deputeti i PD-së, Tritan Shehu.
“Ndryshimet e bëra së fundmi në rregulloren e Kuvendit për krijimin e një hapësire më të madhe të votimit të hapur të deputetëve, votimit nominal të deputetëve, për elementë të rëndësishëm politikë, për instanca të larta politike dhe të drejtimit të institucioneve të vendit, më duket një hap pozitiv. Kjo tregon përgjegjshmërinë e deputetit, shton transparencën e parlamentit, shton përgjegjësinë e deputetit ndaj elektoratit të tij dhe padyshim forcon funksionet politike të deputetit. Për mendimin tim personal, ai 60 minutësh nuk duhet të ekzistojë fare. Ajo është një eksperiencë “sui generis” e parlamentit tonë. Unë nuk di të ketë ndonjë parlament të botës ku mund të bëhen diskutime të tilla duke filluar që nga kozmosi e deri tek nëndetsja në 60 minuta, pra për atë që do deputeti të flasë”,- tha Shehu. Përmes një pakete propozimesh, Partia Socialiste ka kërkuar nga mazhoranca, që të ndryshojë rregulloren e Kuvendit, duke spostuar diskutimin e lirë 60 minutësh nga fundi në fillim të seancës, dhe duke zëvendësuar votimin nominal me atë të fshehtë në Parlament.