E Diel, 1 Nëntor 2026

Stabiliteti i Bankave në Shqipëri shqyrtohet sot

Banka e Shqipërisë do të marrë në shqyrtim stabilitetin e bankave për pjesën e parë të këtij viti. Raporti do të analizojë rreziqet që u kanosen bankave dhe ekonomisë në tërësi këtë vit dhe do të shqyrtohet në mbledhjen sotshme të Këshillit të Mbikëqyrjes së BSH. Në fakt, përveç problemeve të brendshme, stabiliteti i bankave shqiptare këtë vit është i rriskuar edhe më shumë nga kriza greke dhe ajo që po përjeton eurozona prej saj. Në testin e fundit të stresit që Banka e Shqipërisë ka bërë në sistemin bankar janë nxjerrë në pah katër rreziqe që shqetësojnë bankat në këtë postkrizë globale. Kështu, risku që vjen nga kursi i këmbimit, kreditë e këqija, luhatjet e normave të interesit, risku i likuiditetit, janë faktorët që vënë nën presion aktivitetin e bankave në vendin tonë. Rezultatet e testit të stresit janë publikuar dje në një raport për stabilitetin financiar në vend. Shqetësimi që kanë bankat në Shqipëri ka të bëjë më së shumti me kreditë e këqija. Në fund të vitit 2010, Aktivet me rrezik të sektorit bankar ishin në nivelin 586 miliardë lekë, ndërsa aktivet me normë ponderimi të rrezikut prej 0% ishin në nivelin 409.7 miliardë lekë. Rreziku i kreditit, i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë, mbetet rreziku kryesor për sektorin tonë bankar, në kushtet kur në fund të vitit 2010 kreditë me probleme përfaqësonin 14.0% të portofolit të përgjithshëm të kredive. Ulja e cilësisë së kredisë është regjistruar, si për bizneset, ashtu edhe për individët. Aftësia e sektorit bankar për të përballuar me kapital vlerën e kredive me probleme neto, paraqitet më e dobësuar. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, sektori bankar ka rritur vlerën e fondeve rezervë, si edhe ka përmirësuar treguesit e mbulimit me kolateral të kredisë me probleme. Vlen të theksojmë që në tremujorin e katërt të vitit është konstatuar një qëndrim më aktiv i bankave drejt kreditimit, një rigjallërim i kredisë për investime dhe ulja më e madhe e ritmit të rritjes së kredive me probleme në dy vitet e fundit. Ndonëse këto zhvillime duhet të konfirmohen edhe në periudhat e ardhshme, ato vlerësohen si sinjale paraprake që tregojnë për një stabilizim të mundshëm të ecurisë së treguesit të kredive me probleme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›