Replikë zotit B. Meta dhe M. Dezhgiu
Dy fjalë për kritikën që B. Meta dhe M. Dezhgiu i drejtojnë pikëpamjes që përmban “Historia e Shqipërisë” (Botim i Universitetit të Tiranës), vëll.I, Tiranë 1959. Është e vërtetë që aty thuhet se gjatë Mesjetës së hershme, shqiptarët të detyruar nga dyndjet sllave u strukën në male. Por ajo tezë nuk i takon as Selim Islamit, as Kristo Frashërit. “Historia e Shqipërisë” botuar nga Universiteti i Tiranës në vitet 1959-1965, ishte i pari tekst integral në shkallë planetare i historisë së Shqipërisë në ato përmasa, që pa në atë kohë dritën e botimit. Si botim i parë, ai nuk mund t’i shpëtonte gabimeve. Veç kësaj, ai qe prodhim i një kolektivi autorësh. Përgjegjësinë e përmbajtjes (të fakteve dhe të pikëpamjeve) e kishin autorët e secilit kapitull apo të secilit syth. Emrat e tyre janë thënë në hyrjen e secilit vëllim. Në hyrje thuhet shkoqur se autori i kapitullit të Mesjetës së hershme ishte Prof. Aleks Buda. Faktet dhe pikëpamjet i përkisnin atij. Selim Islami dhe Kristo Frashëri ishin hartues të tekstit. Ata kishin për detyrë t’i jepnin formën strukturore tekstit. Asnjeri prej nesh nuk kishte të drejtë të ndryshonte faktet dhe tezat e autorëve, përfshirë dhe ato të Prof. Aleks Budës, pa miratimin e tyre. Ju këtë praktikë duhet ta dini. Prandaj, orvatja juaj për të ngarkuar me përgjegjësi S. Islamin dhe K. Frashërin për tezën e pasaktë se shqiptarët u strukën në male, është spekulim banal. S. Islami nuk është marrë asnjëherë me historinë e Mesjetës së hershme. Kristo Frashëri e ka trajtuar Mesjetën e hershme mëse një herë në botimet e veta. Madje, pesë vjet më vonë ai ka botuar në disa gjuhë të huaja historinë integrale të Shqipërisë. Ju, B. Meta dhe M. Dezhgiu, do të kishit të drejtë ta kritikonit dhe ta anatemonit Kr. Frashërin po ta kishit lexuar këtë pikëpamje në punimet e tij. Prandaj, ju lutem, nëse e ndjeni sadopak veten historianë, mos i shtrembëroni ato pikëpamje që juve nuk u shkojnë për shtat. Veç kësaj, edhe Prof. Aleks Buda nuk ka bërë, me këtë tezë, ndonjë mëkat. Mos harroni se ishim në fillimet e lëvrimit të historiografisë shqiptare brenda në Shqipëri. Në ato rrethana ka qenë e pamundur të evitoheshin gabimet dhe shtrembërimet. E vërteta është se Prof. A. Buda nuk e përsëriti më këtë tezë. Më vonë, edhe ai e ka trajtuar Mesjetën e hershme në shkrime të tjera, por ka lënë të kuptohet se kishte hequr dorë nga kjo tezë. Gjë krejt e natyrshme dhe krejt njerëzore. Por ju, B. Meta dhe M. Dezhgiu, pse kërkoni të justifikoheni dhe të mbroheni duke thënë se jemi mbështetur te teza “e profesorëve të mirënjohur shqiptarë Selim Islami, Kristo Frashëri dhe te studimet e të madhit Aleks Buda”, - teza këto të varrosura prej kohësh. Nëse vetë nuk ishit në gjendje të farkëtonit teza të sakta shkencore, përse huazoni një mall të skaduar? Përse nuk mbështeteni në pikëpamjen e fundit të historiografisë shqiptare? A nuk provon kjo varfërinë tuaj në lëmin e historisë? Themi në varfërinë, mbasi nuk na vjen mirë të themi: a nuk provon kjo prirjen tuaj për ta nxirë ju në ditët tona historinë e Shqipërisë? Veç kësaj, pyesim: si është e mundur që ju, militantë të flakët të luftës kundër koncepteve komuniste të shfaqura në historiografi, t’i përvetësoni dhe t’ua servirni sot, në demokraci, nxënësve të vitit të fundit të gjimnazit pikëpamjet e farkëtuara në vitet e para të regjimit komunist?
Kristo Frashëri