'Scampa Dance' bën realitet ardhjen e Jiri Kylianit
Festivali i Kërcimit organizohet për të herë në Elbasan. Shfaqet në skenën modeste të këtij qyteti një nga koreografitë e një maestroje bashkëkohor me Trupën e Baletit të Holandës
Për herë të parë organizohet në Elbasan një konkurs i kërcimit dhe i koreografisë, i quajur "Skampa Dance Competition 2009". Është ideuar si një festival me çmime, po edhe si një mjedis për trajnimin dhe afrimin e të rinjve, po aq edhe të publikut pranë baletit në një qytet pa skenë për një art të tillë.
Sipas Artan Ibershimit, i cili ka marrë përsipër të drejtojë "Scampa Dance Competition", ky është një festival për Krijimtarinë Koreografike dhe Interpretimin Koreografik dhe ka për qëllim "prurjen e produksioneve të reja koreografike, duke kërkuar njëkohësisht të jetë promotor i standarteve të larta në artin e kërcimit në hapësirën mbarëshqiptare."
Aktiviteti i certifikuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, jep në përfundim tre çmime për krijimtarinë koreografike dhe për interpretimin koreografik.
Juria drejtohet nga Agron Aliaj, ndërsa anëtarë janë Albert Janku, Tomorr Kokona, Leonard Xhokaxhi dhe Erisa Gina, soliste në Teatrin e Operës dhe Baletit. Këtë iniciativë Ibershimi e ka marrë pas kthimit në Shqipëri dhe në njëfarë mënyre ai e quan një sfidë për të kontribuar në qytetin e tij.
"Kam studiuar qysh në moshën 9 vjeç në shkollën koreografike në Tiranë. Nuk kam ndonjë lloj embleme të cilës mund t'i referohem. Kam një prejardhje nga një familje që i ka dhënë shumë futbollit.
Vetë zgjodha këtë drejtim. Dhe mendoj me këtë aktivitet të lë një gjurmë. Në vitet e ardhshme synojmë që festivali të zgjerojë gamën e stileve dhe trajtimeve të tjera koreografike." Për Artanin kërcimi dhe koreografia është një art, që njeriu e ka në qenien e vet qysh në momentin që lind.
Gjatë ditëve të festivalit shfaqen "Në kërkim të..." me koreografi të Nertil Xhanit, interpreton "The new choreographic generation".
Kompania "3d - 3dinamiche" vjen nga Italia dhe nën drejtimin e koreografes Franceska Manfrini shfaq "I love B-Frammenti".
Shkolla e Tiranës, nëse mund ta quajmë kështu koregrafinë e Arjan Sukniqit, përfaqësohet as më pak e as më shumë, por me trupën kombëtare të Teatrit të Baletit me veprën "Carmina Burana". Koreografi shqiptar Gjergj Prevazi kësaj here ka realziuar një "Performance" me Baletin Nacional të Kosoves.
Ndërsa nesër, në ditën e dhënies së çmimeve, programi i "Scampa Dance Competition" paralajmëron një shfaqje të madhe. Sepse është koreografi i shquar bashkëkohor, Jiri Kylian, i cili në bashkëpunim me Hans van Manen sjell në Elbasan për një shfaqje të vetme trupën e Teatrit të Baletit të Hollandës. Spektatorët për herë të parë kanë rastin të shohin një krijim nga Kylian (1947).
Artisti çek me famë botërore ka mbi tridhjetë vjet që i ka vendosur marrëdhëniet me këtë kompani holandeze baleti dhe prej asaj kohe është ai që bën politikën artistike të kompanisë, por puna e tij mbetet në "terren" si koreograf dhe deri më tani ka realizuar afro 50 produksione baleti.
Ai ka punuar me një repertor jo të zakontë për koreografinë: Simfonia e Lutjeve, Toka e harruar, Svadebka, Fëmija dhe magjitë, etj. Stili i tij koreografik ka marrë kthesë edhe drejt imazheve abstrakte e surreale, sa për të përmendur "No More Play", "Petite Mort", "Sarabande", "Falling Angels", "Sëeet Dreams" etj.
Gjatë ditëve të "Scampa Dance Competition" është ftuar për disa trajnime balerini Enkel Zhuti. Ai vjen nga Italia dhe prej të mërkurës, paraditeve nën drejtimin e tij në Teatrin Skampa, të rinjtë marrin një përvojë praktike baleti.
Për katër ditë ai kryen edhe rolin e konsulentit në përzgjedhjen koreografike. Pse Zhusti? Sipas drejtorit të festivalit, Artan Ibershimi, emri i tij shënon vetëm fillimin e qëllimit për të sjellë në Shqipëri talente të baletit të shpërndarë nëpër botë.