E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nobeli” për një poete - Hertës rumune



Ishte koha për një poet. Të gjitha debatet në qarqet letrare suedeze kanë qenë një parashikim i qartë se “Nobeli” do shkonte për një poet. Por, vetëm emri ishte i papritur. Ndërsa prisnin të lëvizte nga stoli disavjeçar poeti suedez, Tomas Transtromer - Akademia Suedeze siç ishte parashikuar, donte ta çonte çmimin jashtë Evropës.

“Nobeli për letërsinë”, i shpallur dje në mesditë nga Akademia Suedeze ka shkuar për shkrimtaren gjermano-rumune, Herta Mueller.

Shkrimtarja rumune e lindur në Gjermani, Herta, ka marrë çmimin e Akademisë, i cili jepet që nga viti 1901. Arsyetimi i Akademisë suedeze ka qenë se autorja “e cila me koncentrimin e saj në poezi dhe sinqeritetin e saj në prozë ka përshkruar një pamje që nuk është parë”. Çmimi përfshin 1.4 milion dollarë dhe jepet më 10 dhjetor në kryeqytetin e Suedisë. Mueller që denoncoi brutalitetin dhe gjendjen shtypëse të diktaturës së Nikolae Çausheskut, i iku gjuha kur mësoi se kishte fituar “Nobelin në letërsi”.

“Ajo ishte shumë, shumë e lumtur. Asaj i humbi fryma dhe një ndjesi joreale e pushtoi dhe fjalët i humbi”, - tha sekretari i përhershëm i Akademisë, Peter Englund, për “Reuters”, duke shtuar: “Por ajo premtoi se kur të takohemi përsëri në dhjetor (për ceremoninë e çmimeve) do të kishte gjetur fjalët e saj përsëri”.

Mueller njihet për veprën “The land of Green Plums”, të cilën ia ka kushtuar miqve rumunë që u vranë gjatë sundimit komunist të Çausheskut.

“Ka një fuqi reale mënyra se si shkruan... ajo ka një mesazh të pabesueshëm”, - tha Englund. “Pjesë e saj është zotërimi i së kaluarës së saj, si një viktimë e persekutimit në Rumani, por pastaj ajo gjithashtu ka të kaluarën e saj si një e huaj në vendin e saj”.

Mueller, e ëma e së cilës ishte dërguar në një kamp sovjetik për punë për pesë vjet, ishte ngacmuar nga vetë policia e fshehtë rumune, sigurimi, pas refuzimit për t’u bërë një informatore. Përmbledhjen e parë me tregime Mueller e nxori në vitin 1982. Vepra “Niederungen” ishte censuruar në Rumani. Në të, dhe në librin e saj “Drueckender Tango”, botuar dy vjet më vonë, ajo shkruan për korrupsionin dhe represionin në një fshat gjermano-folës, ku ajo ishte e lindur.

Shkrimtarja 56-vjeçare ka migruar në Gjermani gjatë kohës kur në Rumani në pushtet ishin komunistët në 1987. Në vitin 1984 ajo publikoi një version të pacensuruar në Gjermani, ndërkaq veprat e saj kanë të bëjnë kryesisht me shkëputje të jetës nga një fshat i vogël në Rumani, i cili flet gjuhën gjermane. Vepra e saj më e mirë është ajo e quajtur “Oppresive Tango”. Për shkak të zërit të saj kritikues dhe frikës nga policia sekrete dhe qeveria e Rumanisë, ajo me burrin e saj lanë atdheun e tyre për të migruar në Gjermani.

Akademia Suedeze ka marrë qindra nominime për letërsi këtë vit, ndërkaq në fund ka arritur që të përpilojë një listë të ngushtë prej pesë autorësh. Këta autorë janë studiuar me qetësi dhe në fund janë zgjedhur me votën e shumicës së anëtarëve.

Këshilli i njohur me emrin suedez “De Aderton” – anëtarët e akademisë, të cilët bëjnë përzgjedhjen e këtyre librave - janë shkrimtarë suedez, kritikë libri, linguistë dhe profesorë të letërsisë. Tani për tani janë vetëm 15 anëtarë aktivë të akademisë.

Një karrige është e lirë, kurse dy anëtarë të akademisë kanë bojkotuar takimin që në vitin 1990 për shkak të grindjeve, si dhe për debatin e grindjet, që u bënë kundër shkrimtarit britanik, Salman Rushdie, i cili u kërcënua edhe me vdekje.

Peter Englund, sekretari permanent i akademisë, ka thënë se zakonisht ka pasur debate të gjalla në mes të anëtarëve të akademisë para se të jepej vota, edhe pse ata janë përpjekur që të bëjnë një votim të fshehtë.

Qarqet letrare në Suedi janë duke shpërthyer me spekulimet e para për shpalljen e “Nobelit” në letërsi, ku me shumë pritje ky çmim ka shkuar për herë të parë te një poet qysh nga viti 1996.

Në përputhje me traditën, Akademia Suedeze i ka ndarë çmimet në qetësi. Lista e kandidatëve asnjëherë nuk është vënë në muret e Akademisë dhe anëtarët e saj janë betuar për ruajtjen e sekretit.

Në prag të shpalljes, “Reuters” bën të ditur se faqet e gazetave suedeze ishin të mbushura plot me emra letrarësh.

“Shumë njerëz janë duke thënë se është koha për një poet. Ndoshta këtë vit do të jetë një poete”, - kanë qenë parashikimet, që duken gati dekonspirative nga mediat suedeze. Poeti më i fundit i nderuar me “Nobel” ishte Wislawa Szymborska nga Polonia, 13 vjet më parë. Eklund përmendi poetin suedez, Tomas Transtromer, si dhe Adonis, emri artistik ose pseudonimi i sirianit, poetit Ali Ahmad Said – pra këta të dy ishin konsideruar si fitues të mundshëm.

Suedezët të prirur për afrimin e kohës së “Nobelit” për një poet, sigurisht që pajtoheshin me dëshirën se ky çmim më në fund mund të shkonte për Tomas Transtromer-in. Ndërkohë ishte parashikuar se fituesi i këtij viti do të ishte patjetër një autor jashtë Evropës”, pas çmimit të vitit të kaluar që shkoi në gjuhën frënge për shkrimtarin Jean- Marie Gustave Le Clezio.

Pothuaj të gjithë botuesit suedezë kishin rënë dakord se “ishte koha për poezi”. “Një poete amerikane femër do të jetë e madhe, por unë nuk e di kush mund të ishte”, - ka thënë botuesi suedez, Haakan Bravinger .

Ndërsa kombësia nuk luan një rol në zgjedhjen e Akademisë, “gjuha do të ketë një rol” – ka qenë debati tjetër në prag të “Nobelit për letërsi”, duke kujtuar në media se kishte kaluar një kohë e gjatë që një shkrimtar spanjoll kishte fituar për gjuhën.

Emri që pritej ishte Vargas Llosa.

Por, debutuesit e “Nobelit” e kanë parë këtë vit si një zgjedhje të duhur edhe nëse “Nobeli” do shkonte për një shkrimtar të tregimit të shkurtër, duke përmendur këtu të nominuarin nga Kanadaja, Alice Munro - kujtohet se çmimi “Nobel në letërsi” nuk ka shkuar kurrë për një shkrimtar të tregimit të shkurtër.

Më pas përmenden disa emra shkrimtarësh të favorizuar prej vitesh, një listë rreth të cilëve ka lëvizur “Nobeli” çdo vit. Ato përfshijnë shkrimtarin izraelit Amos Oz, shkrimtarin nga SHBA, Philip Roth, Joyce Carol Oates dhe Thomas Pynchon, shkrimtaren kanadeze Margaret Atwood, Un Ko e Koresë së Jugut, shkrimtarin japonez, Haruki Murakami, algjerianin që shkruan në gjuhën frënge, Assia Djebar, Claudio Magris e Italisë, Murray Les nga Australia dhe së fundi shkrimtarin shqiptar, Ismail Kadare - për të cilin dje i kanë afruar shumë gjasat se mund të ishte nobelisti i parë në letrat shqipe.

Prirjet e akademisë për të parashikuar fituesin këtë vit, ka qenë shumë e vështirë. Shkaku thuhet se ka qenë sekretari i ri i përhershëm, Peter Englund.

Ndërkohë, që siti i basteve online “Ladbrokes” dha shansin më të afërt për “Nobelin”, duke e ndarë mes emrave për Amos Oz dhe Herta Muller. Pra, fitoi Muller.

Përgatiti: V. Murati

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›