E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filmi grek në Tiranë, qëndresë ndaj Hollivudit



Filmat më të vlerësuar grekë kanë filluar të shfaqen në kinema në Tiranë. Në kuadër të festivalit “Ditët e filmit grek”, krijimet e regjisorëve më të njohur do të shfaqen për publikun shqiptar, me qëllim njohjen me kinemanë fqinje. Ky eveniment vjen për herë të parë e sipas drejtorit artistik të festivalit, Bujar Alimani, synimi final i eventit është rezistenca kundrejt bumit industrial të filmave amerikanë.

Ditët greke kanë nisur mbrëmë, a mund të na thoni pak se çfarë përmban ky program?

Janë gjithsej 12 filma, ku pesë prej tyre janë me metrazh të gjatë, ndërsa shtatë të tjerë në metrazh të shkurt. Janë të gjithë filma të vlerësuar e të pritur shumë mirë. “Palma e Artë” e regjisorit Angelopulos i përket vitit 1998, për shembull, apo filmat e shkurtër janë të gjithë prodhime pas 2005 etj. Është fjala për një paketë filmash të cilat vijnë për herë të parë në Tiranë në mënyrë kaq të plotë. Evenimenti është hapur mbrëmë me filmin fitues të çmimit të “Palmës së Artë”, në Festivalin e Kanës. Të gjithë filmat janë të subtitruar në gjuhën shqipe, të cilët janë menduar të ndërthuren në tri ditë të filmave. Për këtë është bërë një lloj përzgjedhje me idenë se si do të jehonin ato për publikun shqiptar pa u censuruar dhe pa rënë në grackën e temave të kufizuara siç mund të jetë tema e emigracionit. Sigurisht që mes tyre ka filma që trajtojnë këtë temë konkrete, siç është filmi i gjatë që paraqet marrëdhënien e një greku me një shqiptar. Po ashtu edhe dy filma të shkurtër kanë të njëjtën temë. Janë kryesisht filma bashkëkohorë, pra produksione të viteve të fundit, me përjashtim të një filmi, të cilin e kemi shkëputur nga arkivi qendror shtetëror i filmit këtu në Tiranë, si “Njeriu me karafil”. Është film me 30 mm, e me regji të Nikos Ximas.

Si erdhi ideja e organizmit të një dite greke të filmit?

Ne jemi një grup emigrantësh dhe vendosëm që të organizonim edhe këtu në Shqipëri një festival filmi grek, pasi në 2007-ën është zhvilluar një tjetër të ngjashëm, me ndryshimin se atje prezantoheshin filmat tanë, shqiptarë, në Athinë. Vendosëm që ta bëjmë tre ditë, me qëllim ndërthurjen në mënyrë reciproke të filmave. Për këtë ne kemi pasur mbështetjen e ambasadës greke, forumit grek të kulturës në Shqipëri, si dhe sponsorë privatë.

Si është bërë përzgjedhja e filmave?

Filmat janë përzgjedhur në bazë të disa kritereve, por një ndër kryesorët ka qenë afrimiteti i temave të produksioneve filmike, me realitetin shqiptar. Në të njëjtën kohë, të dy popujt, pra ne me grekët, jemi të ngjashëm për nga natyra. Janë përzgjedhur ata filma, të cilët janë “stacione” në kinemanë greke. Stacione në kuptimin e pikave të referimit siç është filmi “Korrigjim” nga regjisori A. Dhamianos, filmi “Gjithçka është rrugë” e P. Vulgaris, “Njeriu me karafil” i N. Ximas, po ashtu edhe filmat e shkurtër etj. Të gjithë këta filma janë në 30 mm, pasi ky është formati normal i kinemasë dhe jo në DVD.

Pasi regjisorët grekë kanë qenë përballë kërkesës që filmat e tyre të paraqiten edhe në kinemanë e kryeqytetit shqiptar, si ka qenë reagimi i tyre, si e kanë pritur ata këtë ofertë?

Në të vërtetë, pasi u kemi kërkuar që të merrnin pjesë në këtë festival nëpërmjet filmave të tyre, kemi marrë një reagim shumë pozitiv, sigurisht. E kanë pritur shumë mirë këtë ftesë për pjesëmarrje në këtë festival, i cili organizohet për herë të parë në Shqipëri. Ndërkohë që pjesa tjetër e regjisorëve, të cilët nuk mundeshin të përfaqësoheshin, na kanë “sharë”, pasi kërkonin edhe ata që të merrnin pjesë në festivalin e filmit grek. Të gjithë donin që të vinin me anë të filmave të tyre. Katër prej filmave artistikë janë prodhim i televizionit publik grek, ndërsa tre filma me metrazh të shkurtër janë prodhim i qendrës kinematografike greke. Regjisorët udhëtonin nga larg, vetëm për të na sjellë neve filmat e tyre për në festival, pasi ata shprehnin kënaqësinë dhe nderin që ata merrnin pjesë në një eveniment të tillë në Tiranë.

Ju jeni drejtori artistik i këtij festivali. Si do ta vlerësonit ju këtë eveniment, duke qenë se realizohet edhe për herë të parë në Shqipëri?

Duke ditur se në çfarë kompleksi jetojmë përtej kufirit, po ashtu dhe brenda tij, ne thyejmë barrierat. Por duke besuar shumë tek kultura, tek puna dhe kur gjithçka bëhet me shumë dashuri, rezultati vjen vetë. Mendoj se të tilla përkushtime në një Shqipëri, e cila numrin e kinemave e ka të kufizuara, njohja me kinematë fqinje është një kënaqësi me vete.

Si e shikon trajtesën e personazhit shqiptar në filmin grek?

Personazhi që paraqitet tek filmi “Korrigjimi” është një grua shqiptare, trajtohet jashtëzakonisht me personalitet. Ka një peshë të madhe në film, i cili merr shkas menjëherë pas ngjarjes tragjike të vrasjes së tifozit shqiptar në ndeshjen Shqipëri-Greqi.

Cili është në fakt qëllimi i festivalit?

Qëllimi ky ka qenë, të sjellim një peizazh të kinemave greke në Tiranë. Ne duam që spektatori shqiptar të njohë më mirë një pjesë të kinemasë së një vendi fqinj. Ne jemi pushtuar nga kinematografia amerikane, e cila po ushtron një presion të madh të filmit në kinematë tona. Pa qenë absolutisht kundër kësaj industrie, mendohet të bëjmë një lloj qëndrese ndaj këtij grupi filmash amerikanë. Ekzistojnë nga ana tjetër edhe shumë filma, kinema të vogla, me po aq vlera artistike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›