E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reportazh, situata e arsimtarëve në Kosovë

Rexhep Sadiku është profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në një shkollë të mesme në Ferizaj. Të qenit mësimdhënës për të nuk është më një kënaqësi, siç ishte kur ai filloi këtë punë para 27 vitesh.

Profesor Sadiku thotë se rrethanat e tanishme ekonomike, sociale e të tjera e ngulfasin punën e një pedagogu.

"Punën time dhe të tjerëve ajo që e ngulfat është baza e ultë materiale, mossigurimi social, mosrregullimi i çështjes në rast të sëmundjes së arsimtarit, kur atij nuk i paguhet shërimi apo edhe më keq, nëse shërimi i tij zgjat më shumë, atij i ndërpritet paga", u shpreh ai.

Vlerat edukative dhe arsimore në Kosovë, sipas profesor Rexhep Sadikut, kanë filluar të bien që nga vitet 90-të, kur regjimi i atëhershëm serb mbylli dhunshëm shkollat në gjuhën shqipe.

Në periudhën e pasluftës ndërkaq pakënaqësitë e mësueve për trajtimin e tyre kanë shpërthyer dhe disa herë ata janë hedhur në greva, duke ndërprerë procesin mësimor. Kërkesa themelore e mësuesve ishte ngritja e pagave, që u realizua vitin e kaluar.

Paga mesatare e një arsimtari në Kosovë aktualisht është 250 euro. Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Ali Shabanaj thotë se kjo nuk është pagë e kënaqshme për punën që bën një mësimdhënës.

"Vitin e kaluar është bërë një lëvizje pozitive, por ne kemi menduar dhe mendojmë akoma që ajo lëvizje të jetë e vazhdueshme, me qëllim që arsimtarët të ndihen gjithnjë më mirë. Me një lëvizje prej 20-25 përqind nuk është zgjidhje përfundimtare e mësimdhënësve. Ata duan më shumë, me qëllim që tërë punën dhe aktivitetin e tyre ta zhvillojnë në shkollë dhe të mos merren me punë dytësore, e cila do ta humbë kuptimin e punës primare të tyre", tha z.Shabanaj.

Sipas kryesindikalistit të arsimit, Ali Shabanaj, shqetësim kryesor për mësimdhënësit është zgjidhja e statusit të tyre.

Ai thotë se deri vitin e kaluar, kontratat e punës së tyre kanë qenë njëvjeçare, ndërsa pas një marrëveshje me Ministrinë e Arsimit është arritur që kontratat e punonjësve të arsimit të jenë pesëvjeçare dhe që pagesa e tyre të bëhet mbi bazën e kualifikimit dhe përvojës së tyre.

"Megjithatë urdhëresa administrative nuk realizohet në tërësinë e saj, fajet nuk janë te Ministria e Arsimit, ajo e ka nxjerrë urdhëresën dhe implementues duhet të jenë drejtoritë komunale të arsimit, por fatkeqësisht drejtorët vazhdojnë avazin e vjetër duke lëshuar vendime pune njëvjeçare", deklaroi kryetari i Sindikatës së Arsimit, Ali Shabanaj.

Nga ana tjetër, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj thotë se pozita e mësimdhënësve në Kosovë asnjëherë nuk ka qenë më dinjitoze se sa që është tani.

"Dua të them që pagat e tyre në krahasim me disa vende të rajonit janë të larta si dhe nëse e krahasojmë me standardin që ka jeta e një qytetari në Kosovë. Asnjë qeveri më herët nuk ka bërë përpjekje që ta përmirësojë thelbësisht pozitën e mësimdhënësit, ta bëjë mësimdhënësin krenar në profesionin e tij dhe ta sheh si forcën më motorike për ndërtimin e vendit", theksoi ministri Hoxhaj.

Sipas tij, mësuesia është një profesion tërheqës dhe i preferuar në Kosovë. Ai këtë e bazon në interesimin që kanë shfaqur maturantët për t'u regjistruar në Fakultetin e Edukimit.

"Fakti që sivjet 22 maturantë kanë aplikuar për pozitën e studentëve në Fakultetin e Edukimit flet edhe për një fuqizim dhe përceptim të ri se çfarë do të thotë të jesh mësimdhënës në Republikën e Kosovës. Kjo flet për atë se njerëzit besojnë se profesioni i mësimdhënësit është atraktiv, është një pozitë e privilegjuar shoqërore, ndërsa qeveria e Kosovës gjatë këtij mandati do të bëjë edhe një ngritje të dytë të pagave, e cila defitinitivisht do ta fuqizojë pozitën e mësimdhënësit si të tillë", tha ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj.

Por ndryshe nga ai, shprehet profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe në një shkollë të mesme të Ferizajt, Rexhep Sadiku. Ai thotë se nga perspektiva e sotme, po të kishte mundësi të zgjidhte edhe një herë profesionin, nuk do të dëshironte të bëhej arsimtar.

"Mendoj që jo sepse ka humbur respekti ndaj arsimtarit, përveç anashkalimit të bazës materiale, kemi edhe një kategori të nxënësve që nuk janë të vetëdijësuar dhe nuk vijnë për t'i nxënë njohuritë dhe dituritë, por vijnë vetëm për të kaluar kohën. Ne kur e kemi zgjedhur detyrën e arsimtarit, kemi pasur për qëllim që arsimi dhe arsimtari pikësëpari të jetë një pjesë e rezistencës kombëtare dhe duke ngritur cilësinë në arsim të prodhojë jo vetëm vlera arsimore, por edhe vlera kombëtare. Sot shpeshherë këto dy nocione, sikur bien ndesh", deklaroi profesor Sadiku.

Sistemi arsimor i Kosovës numëron rreth 23 mijë mësimdhënës, në mesin e të cilëve rreth 6 mijë të pakualifikuar.

Ministria e Arsimit paralajmëron se gjatë javëve të ardhshme do të fillojë licencimi i mësimdhënësve dhe rikualifikimi i tyre bazuar në përgatitjen profesionale dhe performancën para nxënësve.

Violeta Hyseni - BBC

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›