“Reporterët pa kufij”: Përkeqësohet liria e shtypit, Shqipëria e fundit në rajon
Albert Gjoka
Liria e shtypit në Shqipëri po përkeqësohet çdo vit e më shumë në Shqipëri. Një kontrast i tillë vjen nga indeksi i organizatës “Reporterët pa kufij”. Sikur të mos mjaftonte kriza ekonomike që po përjeton e gjithë industria mediatike, një barrë e rëndë për mediat është edhe presioni i gjithanshëm i qeverisë. Raporti më i fundit, i publikuar dje, flet për një zbritje me 9 pikë të treguesve të lirisë së shtypit në vendin tonë, duke u listuar në vendin e 88-të mes 175 vendeve që përfshihen në indeksin e përvitshëm. Ky pozicion shënon edhe standardet më të ulëta të lirisë krahasuar me të gjitha vendet e tjera të rajonit. Po ashtu, ne listohemi në pozicionin më të keq qëkur jemi përfshirë në vlerësimin e kësaj organizate (shih tabelën). Në prezantimin për gjendjen e shtypit në Shqipëri përmenden rastet e gazetës “Tema”, ku qeveria i nxori nga mjediset e marra me qira nga shteti, si dhe gjoba e KKRT-së ndaj kanalit televiziv “News 24”. Duke parë treguesit që nga viti 2003, kur Shqipëria ishte në vendin e 34-t mes 135 shteteve të përfshira në indeksimin e lirisë së shtypit, pozicioni i sotëm flet për një përkeqësim të mjedisit mediatik.
Raporti
Megjithëse qeveria shqiptare mburret me faktin se nuk ka çuar asnjë gazetar në gjykatë për shpifje, një sjellje kjo e kërkuar nga kryeministri për të gjithë vartësit e tij, kjo duket se nuk është mënyra më e mirë për të përmirësuar klimën e lirisë së shtypit. Një standard ky i pakërkuar as nga vetë mediat, nuk i ka bindur as hartuesit e indeksit të përvitshëm të “Reporterët pa kufij” që ta listojnë vendin tonë të fundit në rajon, duke e pozicionuar në vendin e 88-të mes 175 shteteve të botës që janë të përfshira në studimin e publikuar dje. Në paraqitjen që i bëhet pozicionit të Shqipërisë, hartuesit thonë se “vitaliteti dhe rritja në sektorin e medias jo gjithmonë shoqërohet me nxitjen e pluralizmit të vërtetë të lajmit dhe informacionit”. “Gazetaria investigative mbetet ende në fazë embrionale dhe lufton për të gjetur hapësirë në shtypin që është thuajse i gjithi në pronësinë e grupeve të biznesit, të cilat përcaktojnë mbrojtjen e sferave të tyre të influencës apo të partive politike, që, gjithashtu, shpesh pështjellojnë lajmin me propagandën”, - thotë raporti i “Reporterëve”.
Problemet
Hartuesit e indeksit theksojnë edhe gjendjen në të cilën ndodhen punëtorët e medias. Sipas tij, “pagat e gazetarëve dhe pasiguria sociale lidhen me mungesën e strukturave ligjore për ushtrimin e profesionit. Një tjetër problem janë edhe largimet nga puna të reporterëve me vendime arbitrare. Presionet që bëhen ndaj mediave private janë të shumta, ku më të përdorshmet janë ato që kanë të bëjnë me burimet financiare dhe shpërndarjen e reklamave me porositës agjencitë shtetërore. “Reporterët pa kufij” thonë se një situatë e tillë prodhon autocensurë, e cila tashmë “është e pranishme në një numër të madh mediash në Shqipëri”. Edhe postet e administrimit të shtypit bëhen përmes emërimesh politike, dhe kjo për të garantuar linja editoriale favorizuese.
“Kontrolli i qeverisë në median publike është i kudogjendur”, - thuhet në të dhënat që raportohen për Shqipërinë.
Rastet
Rasti më tipik i presionit të qeverisë ndaj mediave është ai me gazetën “Tema”. Organizata thotë se policia nxori nga mjediset e saj gazetarët dhe stafin e gazetës për të marrë mjediset, ndonëse kishte një kontratë qiraje me ministrinë përkatëse me një afat 20-vjeçar. Më tej theksohet se qeveria nuk e ka njoftuar botuesin, por e ka ndërprerë kontratën në mënyrë të njëanshme, pa pasur të paktën një njoftim zyrtar.
Një tjetër rast është ai me televizionin “News 24”, i cili u gjobit nga KKRT-ja për publikimin e një spoti televiziv të G99-s, që ironizonte një spot tjetër të qeverisë, ku kryeministri Berisha u bënte thirrje qytetarëve të denoncojnë korrupsionin në celularin e tij.
Përkeqësimi
Treguesit më të mirë të lirisë së shtypit, të përcaktuara nga “Reporterët pa kufij”, i përkasin vitit 2003, ku Shqipëria listohej në vendin e 34-t mes 135 shteteve të përfshira në indeks. Pozicionimi i tanishëm, në vendin e 88-të, është më i ulëti qëkur ka nisur për herë të parë përfshirja e Shqipërisë në indeks. Në vitin 2008 sikur u duk një farë përmirësimi, pasi një vit më parë ishim në vendin e 87-të, por sërish kemi rënë poshtë, duke u pozicionuar shumë larg përsa u përket standardeve me Maqedoninë, Serbisë, Bosnjës apo edhe Kosovës (shih tabelën). Duke parë gjendjen e shtypit në Shqipëri, është e kuptueshme që vlerësime të këtij lloji nuk janë larg nga realiteti konkret; dhe sikur të mos mjaftonte kriza ekonomike që po kalon shtypi, një barrë e rëndë për gazetat e varfra në Shqipëri janë edhe mungesa e infrastrukturës së shpërndarjes apo përzgjedhja klienteliste e mediave për reklamë. Kësaj u shtohen edhe presionet e dukshme apo të padukshme të Ekzekutivit, që e rreh çdo ditë e më shumë median me fjalën e butë.
PROFIL
Cila është organizata “Reporterët pa kufij”
“Reporterët pa kufij” është një organizatë joqeveritare e regjistruar në Francë dhe ka statusin e konsulentit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ajo ka zyrat e saj në disa shtete të botës dhe regjistron rreth 120 korrespondentë në pjesën dërrmuese të shteteve të globit. Kjo organizatë merret me mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe vlerësimin e lirisë së shtypit. Në vitin 2005 “Reporterët pa kufi” u vlerësuan me çmimin “Saharov”, dhënë nga Parlamenti Europian për Lirinë e Shprehjes.
Renditja në vite e Shqipërisë
Viti 2009 – 88
Viti 2008 – 79
Viti 2007 – 87
Viti 2006 – 80
Viti 2005 – 62
Viti 2004 – 50
Viti 2003 - 34
Viti 2002 – nuk ka të dhënë
RENDITJA NË VENDET E RAJONIT
34 Maqedonia
35 Greqia
39 Bosnje Hercegovina
65 Serbia
75 Kosova
77 Mali i Zi
78 Kroacia
88 Shqipëria
DHJETË VENDET E PARA
1 Danimarkë
2 Finlandë
3 Irlandë
4 Norvegji
5 Suedi
6 Estoni
7 Holandë
8 Zvicër
9 Islandë
10 Lituani
10 VENDET E FUNDIT
166 Vietnami
167 Jemeni
168 Kina
169 Laosi
170 Kuba
171 Burma
172 Irani
173 Turkmenistani
174 Koreja e Veriut
175 Eritrea
REAGIMI
Balla: “Qeveria ka thelluar kontrollin ndaj medias së lirë”
TIRANË - Partia Socialiste ka reaguar pas publikimit të raportit të “Reporterëve pa kufij”, e cila e rendiste Shqipërinë në vendin e fundit në rajonin e Ballkanit përsa i përket lirisë së shtypit. Deputeti socialist, Taulant Balla, tha se ky raport është një sinjal alarmi për cenimin e parimeve të demokracisë dhe lirisë së të shprehurit. “Partia Socialiste rishpreh qëndrimin e saj për cenimin dhe degradimin e lirisë së medias në vend. Renditja e Shqipërisë në raportin e “Reporterëve pa kufi” për lirinë e shtypit, disa shkallë më poshtë nga 2008-a në 2009-n, është një sinjal alarmi për cenimin e parimeve të demokracisë dhe lirisë së të shprehurit, gjë të cilën jo rrallëherë e kemi ngritur dhe e kemi evidentuar.
Shqipëria në këtë indeks të ‘Reporterëve pa kufij’ është renditur për vitin 2009 në vendin e 88-të, poshtë Ugandës, Mozambikut, apo Timorit Lindor, vende aspak demokratike dhe peng të luftërave civile. Shqipëria, si vendi që u anëtarësua në NATO nën moton ‘This is a miracle of freedom’, sot është kthyer në vendin ku cenohet thellësisht liria e mediave”, - tha deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla.
21 Tetor 2009