E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglezët, të “dashuruar” me Lorikun



Dash Frashëri

Lorik Cana, kapiteni shqiptar i Sandërlendit, është zgjedhur lojtari më i mirë i Premier Ligës për javën futbollistike që u mbyll. Kështu shkruan uebsajti më i rëndësishëm sportiv në botë, Eurosport.com. Faqja në fjalë, ka mbledhur notat e vlerësimeve të dhëna nga gjashta gazeta kombëtar angleze: “The Sun”, “Daily Star”, “Daily Mirror”, “Daily Mail”, “The Times” dhe “Guardian”, duke nxjerrë një mesatare të vlerësimeve, e duke ndërtuar më pas edhe “top-lojtarët” për çdo pozicion loje. Sipas Eurosport, Lorik Cana është lojtari më i mirë javës, falë performancës së jashtëzakonshme të shqiptari në fitoren 1-0 të Sandërlendit ndaj gjigantit anglez, Liverpulit. Vlerësimi mesatar i Canës ka notën 9.

Trajneri
Trajneri i Sandërlendit, Stiv Brus, duket se e ka zënë “qymyri” me kapiteni e skuadrës së tij, shqiptarin Lorik Cana. Pas fitores së bujshme të “maceve të zeza” me Liverpulin (1-0), Brus nuk i kurseu lëvdatat për performancën e shkëlqyer në mesfushë të Canës. Sipas uebsajtit popullor anglez, tribalfootball.com, bosi i Sanderlendit mbeti edhe njëherë tjetër i mahnitur nga paraqita në mesfushë e ndërkombëtarit shqiptar, i cili u ble nga klubi anglez gjatë merkatos së verës në shumën e 6 milionë eurove nga Marseja e Francës. ”Oh Zot, ai ishte i jashtëzakonshëm. Paraqitja e tij në pjesën e dytë ishte e pakundërshtueshme, ashtu siç e kam parë gjithmonë në majë, në një ndeshje të madhe, dhe kam parë prej tij shumë gjëra të mira. Thjesht, ishte i tmerrshëm”, - citohet Brus. “E kisha para Lorikun të luante kundër Liverpulit dhe dy herë të tjera kur ai luante për Marsejën. E dija se ai ishte kapiteni i vendit të tij (Shqipërisë), dhe ju nuk mund të jeni kapiteni i Marsejës dhe një klubi të tillë, nëse ju nuk keni diçka të veçantë. Ai ishte një kult dhe një hero atje (te Marseja)”. “Nuk mund ta besoj ende që ne e kemi bërë tonin si lojtar, duke parë se çfarë nënkuptonte ai. Për fat të mirë ne realizuam me të transfertën më të lehtë të mundshme. Nuk mund ta besoj ende sa e lehtë ishte. Ne ramë dakord për shpenzimet brenda 24 orësh, ai erdhi te ne dhe nënshkroi po atë të mbrëmje. Ai nuk kishte nevojë për kohë për tu menduar rreth kësaj. I thashë se njerëzit në Angli do të dashurohen me mënyrën se si ju luani. Ndoshta nuk mund të jeni të vlerësuar në France apo Spanjë, por anglezët do të dashurohen me ju”.

Bunjaku, lojtari i
javës në Bundesligë

Albert Bunajku nuk do ta harrojë kurrë javën ndeshjen e tij kundër Hertës së Berlinit, ku shqiptari nga Kosova shënoi dy nga tre golat e fitores së Nurembergut. Sulmuesi 25-vjeçar u përzgjodh nga revista sportive prestigjioze gjermane “Kicker”, si lojtari më mirë i javës së 9-të të Bundesligës. Bunjaku u vlerësua me notën maksimale 1.0, që do të thotë “shkëlqyeshëm”, sipas sistemit gjerman të vlerësimit të lojtarëve. Albert Bunjaku ka shënuar deri tani 3 gola në 5 ndeshjet ku është aktivizuar për Nurembergun.

Bogdani lëshon sfidën: "E mundim Milanin"

Erjon Bogdani nuk ka kohë të shijojë golin e tij të dytë sezonal. Sulmuesi shqiptar i Kievos i lëshoi sfidën dirste një emri të madh të futbollit italian e botëror, Milanit. “Mund t’i mundim të gjithë. E kemi dëshmuar dhe herë tjetër këtë. Edhe pse skuadra me të cilën do të përballemi në ndeshjen e radhës quhet Milan. Nuk kemi aspak frikë. Nuk kemi pasur kurrë. Nëse Kievo është në Serinë A është edhe për shkak të kësaj ndjenje”, - citohet Bogdani nga gazeta më e madhe sportive italiane “La Gazzetta dello Sport”. Të dielën Bogdani shënoi golin e vetëm të skuadrës së tij në humbjen 2-1 me Barin, në takimin e vlefshëm për javën e 8-të të Serisë A. “Bari? Nuk ishim në ditë të shkëlqyer, por edhe mund ta barazonim rezultatin. Arbitri nuk na dha dy penallti. Tani na duhet të kthejmë faqen dhe Milani është kundërshtari i duhur për ta kuptuar të gjithë se nuk jemi në vështirësi”.

Rudi Vata, kandidat zyrtar
për presidentin e FSHF-së

Rudi Vata, ish-kapiteni i Kombëtares, zyrtarizoi kandidaturën e tij për postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, gjatë zgjedhjeve të marsit të vitit të ardhshëm. Menaxheri i njohur i FIFA-s e bëri deklaratën e bujshme në televizionin e njohur “Vizion Plus”, gjatë emisionit “Zip”. Ish-lojtari i Sëlltikut të Gllazgout pohoi se ai i njeh mirë problemet e futbollit shqiptar. Vata, me një të kaluar futbollistike deri në Japoninë e largët, pohoi se trajnerët e huaj kanë dështuar në Shqipëri, pavarësisht se për ta janë paguar disa qindra mijëra euro. “E ndjej veten më superior në drejtimin e futbollit sesa presidenti aktual i FSHF-së”, - tha Vata, kapiteni më jetëgjatë i përfaqësueses shqiptare.

Gramozi, Babaj: “Sulmuesit po gabojnë”

Humbja 3-0 e Gramozit në transfertë me Apoloninë në javën e 7-të të Kategorisë Superiore nuk është pritur mirë nga jo vetëm sportdashësit kolonjarë, por dhe nga vetë lojtarët. Mesfushori kosovar Shpëtim Babaj pohoi se pavarësisht lojës voluminoze që krijon ekipi, sulmuesit nuk po arrijnë t’i konkretizojnë rastet e krijuar, duke theksuar se si sulmuesi Dos Santos ashtu dhe Hyseni humbën raste kundër fierakëve. Në “Loni Papuçiu”, Gramozi pësoi humbjen e tretë në shtatë ndeshje. Skuadra e drejtuar nga Agim Canaj ka grumbulluar 6 pikë dhe renditet në vendin e 10-të.

Skënderbeu padit trajnerin Ndreu

Drejtuesit e Skënderbeut kanë paditur në prokurori trajnerin e Kastriotit, Ramazan Ndreu. Lajmin e dha televizioni “Ora Neës”. Sipas stafit korçar, trajneri Ndreu goditi pas ndeshjes Kastrioti-Skënderbeu (2-1) futbollistin kroat Antonio Rukavina.
Është ky futbollist, së bashku edhe me kroatin tjetër Djarmati, që ka paditur Ndreun e larguar me karton të kuq nga gjyqtari Kridens Meta.

20 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›