E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre arrestime janë pak

Socialistet vazhdojne te kembengulin se per ngjarjen e Gerdecit duhet te behet drejtesi deri ne fund dhe se kryeministri Berisha duhet te deklarohet me shkrim

“Gërdeci dhe ajo çfarë ndodhi atje nuk mund të mbulohet me tre arrestime, pasi ngjarja ishte tepër e rëndë dhe për këtë kryeministri Sali Berisha duhet të raportojë në Kuvend”. Ky ka qenë reagimi i djeshëm i kryetares së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, ndërsa ka kërkuar në Parlament raportimin me shkrim të kryeministrit Sali Berisha për tragjedinë e Gërdecit. “Ju po përpiqeni që ngjarja e Gërdecit të harrohet, por sa më shumë kalon koha, aq më shumë dalin prova që Gërdeci ishte një krim shtetëror. Prandaj, ne kërkojmë një raport me shkrim për ngjarjen nga kryeministri”, ka deklaruar Leskaj në Parlament. Ajo ka kërkuar gjithashtu shpjegime nga kryeparlamentarja Topalli, se çfarë po bëhet me projektligjin e propozuar nga Partia Socialiste për dëmshpërblimin e banorëve të dëmtuar nga tragjedia e Gërdecit. “Kemi depozituar në Parlament një projektligj me procedurë të përshpejtuar lidhur me dëmshpërblimin e të dëmtuarve nga tragjedia e Gërdecit. Ende sot, kur kanë kaluar tri javë, nuk kemi asnjë të dhënë se çfarë po ndodh me nismën e opozitës. Minimalisht duhet të kishit sjellë një përgjigje se çfarë ndodh me këtë nismë”, ka thënë Valentina Leskaj. Ndërkohë, kryeparlamentarja Topalli ka theksuar se çështja e raportimit me shkrim të kryeministrit është diskutuar njëherë dhe nuk mund të diskutohet sërish.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›