E Shtunë, 31 Tetor 2026

Requiem për Azem Hajdarin

Edhe sot, si çdo vit, organizohet një ceremoni për të mbajtur gjallë kujtimin e Azem Hajdarit. Pritet i njëjti ritual në vendin ku ai u vra; e njëjta gri për fjalimin e rastit; e njëjta ndërtesë-sfinks aty pranë që i rri përkulshëm mbi kokë përmendores së tij. Me të njëjtën gri të përzishme edhe këtë vit pritet të mbështillet turma e njerëzve aty pranë, madje, edhe këtë vit, si çdo vit tjetër, edhe gjeometria e ndarjes së saj më dysh pritet të jetë e njëjtë. Ata që do të dallohen më pak në atë grumbull njerëzish do të jenë njerëzit e sinqertë, ata që e vuajnë realisht humbjen e Azemit. Këta njerëz mund t’i dallosh lehtësisht sepse lehtësisht dallon nofullat e shtrënguara fort nga dhimbja për njeriun që e kanë dashur dhe besuar. Ata mund t’i dallosh, gjithashtu, edhe nga energjia e madhe që shpenzojnë për ta mbajtur dhimbjen thellë brenda vetes së tyre, nga ai vetkontroll aq i mundimshëm për të mos ta çliruar atë dhimbje ashtu siç do të donin ata ta çlironin: të hidhur, të pasheqerosur, të paanë, mbi të gjitha të vërtetë, zhgënjyese. Të kërrusur nën peshën e halleve të përditshme që rëndon mbi ekzistencën e tyre, ata censurojnë vetveten edhe atje ku autocensura do të ishte e paimagjinueshme: në dhimbjen për njeriun e dashur. Ata që do të dallohen më shumë në atë turmë do të jenë të shtirurit, veçanërisht të ikurit dhe të ardhurit rishtaz në PD, ose anasjelltas. Do të jenë njerëzit që e kanë politikën zanat dhe që pikërisht për këtë arsye kanë ekzaktësisht hallin e kundërt, pra, hallin si të mund jo ta fshehin, por përkundrazi, ta tregojnë, ta bëjnë të dukshme atë dhimbje që s’e kanë. Madje akoma më shumë, si të mund ta fabrikojnë atë, dhimbjen për Azemin; pra, si ta bëjnë urrejtjen, zilinë, egërsinë e luftës në PD, të duken si dhimbje. Qartësisht, më shumë se nën pushtetin e dhimbjes, të dy pjesët e turmës, edhe sot, do të ndodhen nën peshën e mundimit për vetkontroll, autocensurë, megjithëse për shkaqe fare të ndryshme. Gjithsesi, në sfondin e gjithë asaj ndarje të thellë, një gjë do të gjendet për t’i bashkuar palët. Ajo që do t’i bashkojë do të jenë ca biseda pa formë, ashtu gjysma gjysma, ku sejcili thotë diçka si, ja, e respektuam Azemin edhe këtë vit, ja bëmë respektin atij, por edhe familjes së tij, por edhe PD. Respekti, pra, ja çfarë i mbetet heroit në fund të ditës së sotme; ja çfarë lënë në vendin e tubimit të dy palët para se t’i lëshohen kafeneve. Ne prandaj mblidhemi - duket sikur thonë - se heroi ka nevojë për ne, ka nevojë për respektin që duhet “të paguajmë” për të. Fatkeqësisht të gjithë, madje të dy palët e turmës, harrojnë më të rëndësishmen; harrojnë që Azemi, dmth heroi, nuk ka nevojë për ta, përkundrazi, ata, veçanërisht politikanët, ata që fabrikojnë dhimbjen, kanë nevojë për Azemin. Si një nga të vërtetat më të mëdha të këtij vendi të varfër tek shtërzon për të nxjerrë demokracinë nga vetvetja, Shqipëria e tërë ka nevojë për Azemin shumë më tepër se Azemi ka nevojë për të. Ashtu si të gjitha të vërtetat e mëdha, prandaj edhe të thjeshta, edhe kjo e vërtetë nuk thuhet, por fshihet me kujdes. Është një e vërtetë që nuk fshihet nga kundërshtarët politikë të Azemit, përkundrazi, fshihet nga PD, nga partia që themeloi ai. Kjo vjen e i jep fshehjes të së vërtetës edhe një formë tragjike, rrënqethëse.
. . .
Kur rrëmoj në “arkivën” e kujtesës time dhe rinxjerr prej saj fakte, ngjarje të fotografuara pa dashje, por që me siguri ndërgjegja i ka zgjedhur apo klasifikuar spontanisht si më të rëndësishmet për të zënë vend në shtresëzimet e saj, e ndjej veten fare të pafuqishëm të ndaloj gjithë atë lum jetësor për të mos u kanalizuar në një “derdhje” të vetme: jeta politike e Azemit na tregoi të gjithëve se liria e individit është kushti më thelbësor në suksesin e një kauze nga njëra anë dhe në sundimin e lirisë te krejt shoqëria nga ana tjetër. Koha në të cilën jetoi Azemi ishte koha për të kuptuar se askush që nuk fiton lirinë e tij, askush që nuk bën copë e grimë prangat e frikës dhe autocensurës, nuk mund të rreshtohet në beteja të mëdha për demokraci; dhe aq më shumë, nuk mund të luftojë për lirinë e të tjerëve. Ky shpirt i themeluesit të PD u derdh dhe u ngurtësua në fletët e programit të partisë, në strukturat e saj, në zgjedhjen e njerëzve, pra, formëzoi gjithë veprimtarinë politike të PD. E gjithë partia punonte për lirinë duke e ditur që liria do ta rriste atë, do të zgjeronte bazën popullore të saj, do të ndryshonte vendin, më së fundi. Në kohën e Azemit askujt nuk mund t’i shkonte mendja që do të kishte një forcë apo do të kishte “bir nane” që do të mund të detyronte PD t’i largohej parimit të kultivimit të lirisë. Sot, fatkeqësisht, iu shkon mëndja të gjithëve, veçanërisht atyre që kanë pushtet ose janë në proces të rrëmbimit të tij. Në vend të njerëzve të lirë që luftojnë për përhapjen e lirisë, që konkurojnë dhe e përdorin lirinë për të ndërtuar vendin e tyre, sot PD promovon lista, me rreshtime siluetash, jo emrash, jo individualitetesh; lista njerëzish pa fytyrë, pa mimikë, lista hijesh që priten të shndrrohen nga silueta në persona, pra, të çfaqen për të tjerët më vonë, pasi të marrin dritën e nevojshme nga kryetari i PD, sigurisht. Lista nuk është si njeriu, aq më shumë nuk është si njeriu i lirë. Prandaj, për listën nuk aplikohet asgjë nga ato që aplikohen për njeriun e lirë. Lista nuk ka ndërgjegje, lista nuk ka keqardhje, nuk ka vullnet, nuk ka dëshirë për të luftuar, pra, nuk ka qëllime. Lista është statistikë, është numër. Si figura në ekranin e TV që përbëhet nga një numër shumë i madh pikash pa kuptim në vetvehte por që e fitojnë atë vetëm kur formojnë figurën televizive, edhe lista përbëhet nga siluetat, pa kuptim në vetvehte, dmth pa personalitet, të cilët, siluetat pra, marrin vlerë vetëm kur janë sëbashku, vetëm kur bëhen listë. Qytetarët detyrohen të njohin listën, vetëm listën. Siluetat apo hijet që janë brenda listës marrin vlerë vetëm sepse janë brenda saj, vetëm sepse janë në listë. Asgjë tjetër nuk ka vlerë. Mund të jesh i paaftë, mediokër, mund të jesh ish denonciator, mund të jesh nga një parti tjetër, mund të jesh i lidhur me familjet më të mëdha e gjakatare ish komuniste, mund të jesh i akuzuar për hajdut, për monstër, por po të jesh në listë të gjitha bien, fshihen, nuk janë më, sepse ti thjesht nuk mund t’i kesh gjithë ato të këqija, sepse ti thjesht nuk je person, sepse ke vetëm konture, sepse je vetëm një siluetë, thjesht. Sepse ti, parasëgjithash, ke pranuar vetë të jesh siluetë, sepse kështu të kanë dashur, siluetë; sepse më shumë se ty, përgatitësit e listave duan vetë listën. Sepse lista nuk flet, nuk çohet në këmbë, nuk thotë që e ke gabim, nuk thotë që programi i qeverisjes nuk po realizohet, nuk thotë që vendi është zhytur në një regjim autokratik. Nuk thotë që pushteti duhet të decentralizohet, shpërndahet midis qytetarëve dhe institucioneve dhe jo midis siluetave dhe ata, pra qytetarët, të kenë lirinë e mjaftueshme për ta përdorur fuqinë e pushtetit në dobi të vendit të tyre. Sepse njeriu i listës, politikani i PD pra, ka pranuar të jetë siluetë, sepse, më së fundi, e ka kuptuar që vetëm kështu mund të bëjë hajër, karrierë politike. Ka pranuar të mos jetë qytetar i lirë që flet, që kundërshton, që konkuron, pra, ka pranuar të mos jetë i ndershëm me veten, dhe akoma më shumë, ka pranuar të mos i shërbejë vendit, në fund të fundit. Listat klasifikohen megjithatë, sado të thata, të pashpirt të jenë. Ka lista për kandidatë për deputetë, ka lista për kryetarë rrethesh, ka lista për antarë strukturash partiake, ka edhe lista për ish denonciatorët. Pavarësisht nga klasifikimi, listat kanë një gjë esenciale të përbashkët: të marrësh pjesë në to duhet të jesh pa gojë, pa vesh, mundësisht i qorruar. Kështu duhet të jesh në dy rastet: si për të bërë karrierë ashtu edhe për ta mbyllur atë që ke bërë në të shkuarën e për të mos ta marrë vesh njeri kurrë më. Sidoqoftë, vetë listat mund të klasifikohen, por jo siluetat që ndodhen brenda tyre. Ata janë njësoj të depersonalizuar, në të shumtën e rasteve, fatkeqësisht. Ashtu sikundër nuk do t’i shkonte kurrë ndërmend Azemit.
* . .
Unë i kam parë njerëzit kudo, në të gjithë Shqipërinë, tek përloten kur iu fliste Azem Hajdari. Ata ngurtësoheshin plotësisht të thithur nga gravitacioni i qënies së tij. Shkak nuk ishte vetëm karizma, energjia që çlironte Azemi kur fliste para tyre. Mbi të gjitha ishte frika e vrarë, liria individuale që kishte triumfuar në krejt qënien e tij. Ishte, pra, ekzistenca e tij politike si e kundërt e siluetës së sotme. Ishte personaliteti i tij që i thithte njerëzit. Ai kritikonte nga të gjitha anët, hynte deri në skutat më të errta të totalitarizmit, krimeve të shërbimeve sekrete dhe jo sekrete të tij, dhe akoma më shumë, vinte gishtin edhe në plagët e reja që po çfaqeshin në trupin e PD. Gjithmonë i ndërgjegjshëm se kështu mund ta ndihmonte që të mos rrëzohej, se kështu mund të shëronte plagët e krijesës së tij. Ai nuk e mësoi kurrë që PD do të transformohej nga parti e lirisë, nga parti e burrave dhe grave të lira, në parti listash. Ai nuk kishte edhe si ta imagjinonte këtë ecje prapa, këtë humbje vlerash. Madje askush prej nesh që jetuam atë kohë. Ndoshta kjo gjë e zbukuroi jo vetëm jetën, por edhe vdekjen e tij. Koha kur politikanët nuk ishin silueta dhe kur dy gishtat e njerëzve të turmave nuk shërbenin si këmbë siluetash.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›