E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çdo politike të mbrapshtë një ditë edhe i vjen fundi

12-09-2012 / Nga Skënder Mulliqi

Si të gjithë shqiptarët edhe unë isha optimist se do të bëhet mirë pas luftës në Kosovë. Por, çdo ditë kam përshtypjen së në këtë vend shumë çka po shkon si është më së keqi. Kjo është ndjesi shpirtërore, që nuk e len njeriun e qetë për asnjë moment. Nuk ke si të mos ndjehesh keq, kur për çdo ditë dëgjojmë dhe shohim nga mediet elektronike dhe të shkruara lajme për abuzime më shtetin, vrasje, vetëvrasje, vdekje si pasojë e gjendjes së rëndë socio-ekonomike dhe ndodhi të tjera në mbarë vendin. Dhe, aq me keq kur ata të cilët po e drejtojnë shtetin e Kosovës, pa fije turpi defilojnë ne medie  duke mashtruar popullin së gjoja gjithçka në Kosovë është mirë. Bëhen sikur harrojnë krizën ekonomike, bëhen sikur nuk ka krizë politike, krizë psikologjike, dhe çka është më e keqja se çdo ditë po humbet shpresa për një të ardhme më të mirë. Nga kombi më optimist në Evropë, sot  rrezikojmë të përmbyset gjithçka për të ardhmen tonë. Ka humbur besimi, dhe e ardhmja duket tepër e zymtë sidomos për rininë. Gjithçka që po ndodh me ne dhe rreth nesh, është e turpshme e dhembshme dhe zhgënjyese. Është turp i madh për të gjithë ata të cilët sot janë ulur në karriket e buta pushtetare dhe pa fije turpi për pikë të ditës i keqpërdorin të mirat e këtij vendi sikur të ishin ato pronë private e tyre. Janë pasuruar aq shumë sa edhe vet nuk di se çka kanë. Të gjithë atyre të cilët në mënyrë jo ligjore janë pasuar, tu konfiskohet me ligj kjo pasuri. Me veprimet e tyre pushtetarët gjithnjë e më shumë janë duke i shuar shpresat e atyre të cilët e kanë paramenduar më të drejtë një Kosovë  më ndryshe. Në krye të shtetit janë infiltruar njerëz të paarsimuar sa duhet, shumë nga ata hajdutë e mediokër. Mu për këtë, kemi një shëndetësi e cila assesi të dal nga gjendja e keqe e katandisur. Kemi sisteme arsimore që nuk sjellin sa duhet dije, as mundësi, e ku mund të gjesh shumë drejtorë, mësues e profesorë të cilët mozomokeq që gjinden në  institucionet e dijes. Pastaj, policia si shtyllë e shtetit edhe pse me të arritura më të mëdha, nuk është e nivelit të dëshiruar. Të gjithë ata të cilët janë përfshirë në afera të hajnisë (si në Prishtinë dhe në Pejë) natyrisht së nuk e  meritojnë ta mbajnë uniformën  e policisë së Kosovës, dhe kjo gjë do të duhej sa më parë të sqarohet për opinionin e gjerë. Sistemi i drejtësisë as për afërmi nuk i plotëson kriteret e një shteti ku sundon rendi dhe ligji. Nëse dëshirojmë të krijojmë shtet funksional dhe ligjor një reformim përmbajtësor nevojitet gjithsesi të bëhet në çdo nivel të këtyre organeve. Dhe, pikërisht ky mosfunksionim i duhur i organeve të drejtësisë ka bërë që sot të kemi aq shumë afera të ndryshme korruptive dhe të krimit të organizuar. Kështu siç janë duke shkuar punët, po e humbim gjithnjë e më tepër dinjitetin dhe krenarinë tonë kombëtare. Çdo ditë e më tepër po e humbim edhe imazhin si komb para syve të botës demokratike. Pse punët kanë marrë rrjedhë jo normale, në shumë segmente të jetës, nuk e ka fajin vetëm elita politike, por të gjithë së bashku. Bie pyetja pse kaq indiferencë e madhe e popullit karshi të ardhmes së tyre? Edhe sa do të duhet të tolerohen teket e dikujt  që të luhet karshi  fatit të kombit dhe ardhmërisë së fëmijëve tanë? Pa interesimin për hapjen e vendeve të reja të punës, nuk ka prosperitet të këtij vendi. Me të drejtë është krijuar bindja se çdo privatizim po bëhet më shumë për përfitimin e dikujt sesa për interesa shtetërore. Po mbesim jashtë çdo gare karshi shteteve të rajonit për t’u inkuadruar në Evropë. Me këtë garniturë udhëheqëse Zoti e di kur edhe do të përfundon faza e tranzicionit. Edhe sa do të tolerojë ky popull të luhet me fatin e tij? Kjo dhe shumë pyetje të tjera do të marrin përgjigje vetëm atëherë kur populli do ti thyen mbrapshtitë e të gjithë atyre liderëve të cilët u ngjitën në pushtet me votën e tyre. Çdo politike të mbrapshtë një ditë edhe i vjen fundi. Populli është ai që gjithmonë do të vendos së kush duhet ta marrë dhe ta lë  timonin e shtetit… 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›