Reshjet, HEC-et mbi Drin në kuota maksimale
TIRANE- HEC-et mbi Drin arrijnë kuotat maksimale, duke siguruar një situatë të favorshme hidrike në liqenet e kaskadës së lumit Drin, ku Komani dhe Vau i Dejës janë në kuotat maksimale me tendencë zbritjen, ndërkohë Fierza ka njohur rritje të ndjeshme, që pas fillimit të reshjeve. Burime nga dispeçeritë e HEC-eve të kaskadës së Drinit, bëjnë të ditur se gjatë ditës së djeshme, prurjet anësore në HEC-in e Komanit kanë qenë rreth 400 metër kub ujë në sekondë, ndërkohë që kuota e liqenit e këtij hidrocentrali është 175.90 metër, nga 176 metër që është kuota maksimale, ku tendenca është në ulje. Edhe në liqenin e HEC-it të Vaut të Dejës, kuotat janë maksimale, ku gjatë ditës së diel, niveli në Liqenin e Vaut të Dejës ka regjistruar 75.40 metra, nga 76 metra që është kuota maksimale. Ndërkohë në Fierzë, më i madhi në liqenet e kaskadës së Drinit, prurjet gjatë ditës së diel shënuan 432 metër kub ujë në sekondë, ku niveli ka arritur në 276.70 metra, nga 296 metra që është kuota maksimale. Që nga fillimi i reshjeve në fillim të këtij muaji, portat e Hidrocentralit të Fierzës vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe në këtë hidrocentral nuk prodhohet asnjë kilovator energji elektrike, ndersa Komani dhe Vau i Dejës, po punojnë me kapacitet të plotë përgjatë 24 orëve.
(s.g/NEWS24/BalkanWeb)