Kthehen 10 mijë emigrantë, 3 km radha në tokën greke
Nga Kakavija kanë hyrë në territorin shqiptar rreth 10 mijë këmbësorë, 3 mijë automjete dhe rreth 80 autobusë me pasagjerë. Si shkak i fluksit të rënduar të lëvizjes në anën greke të kufirit ka pasur radhë, pasi është punuar me një sportel
Rreth 3 kilometra ka qenë radha e makinave në anën e doganës greke gjatë ditës së djeshme, ndërsa mijëra emigrantë u dyndën në kufi për të kaluar festat në Shqipëri. Policia shqiptare u ka kërkuar homologëve që të shtojnë sportelet, por deri dje pasdite radhët në anën greke kanë qenë të dukshme.
Gjatë ditës së shtunë, nëpërmjet doganave kufitare midis Shqipërisë dhe Greqisë që ndodhen në qarkun e Gjirokastrës, ka nisur kthimi masiv i emigrantëve për të kaluar festat e fundvitit në vendlindje pranë familjarëve dhe të afërmve të tyre. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë Rajonale të Kufirit, gjatë mëngjesit dhe mesditës të së shtunës nëpërmjet Stacionit Kufitar të Kakavijës kanë hyrë në territorin shqiptar rreth 10 mijë këmbësorë, 3 mijë automjete dhe rreth 80 autobusë me pasagjerë. Madje, për shkak të fluksit të rënduar të lëvizjes në drejtim të Shqipërisë, duke u gdhirë dita e shtunë në tokën greke radha e automjeteve ka arritur në rreth 3 kilometra. Gjatë orëve të para të mëngjesit pala greke ka punuar vetëm me 1 sportel, çka ka bërë që me dhjetëra emigrantë, mes tyre fëmijë dhe të moshuar, të qëndrojnë për gati tri orë në pritje në të ftohtin e acartë të dhjetorit.
“Po vijmë në Shqipëri për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri, por në tokën greke ndeshëm shumë automjete si dhe një radhë të gjatë pritjeje, çka na detyroi që të qëndronim për disa orë në radhë duke pritur në makinë”, - thotë emigranti Romeo Leka nga Lushnja, ndërsa automjeti në të cilin ai udhëton së bashku me familjen hyn në tokën shqiptare. Kjo situatë i ka detyruar përfaqësuesit e Policisë Kufitare në Gjirokastër të kërkojnë një takim të veçantë më drejtues të policisë greke të Kakavijës.
“Gjatë mëngjesit të ditës së shtunë, drejtori Rajonal i Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër, Thimi Remoçka, si dhe komandanti i Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë, Klemend Lena, kanë marrë takim me palën greke ku kanë kërkuar rritjen e numrit të sporteleve”, - thonë burimet policore. Pas këtij takimi rreth orës 09:00, pala greke ka shtuar numrin e sporteleve në 3 të tilla, çka ka përshpejtuar edhe ecurinë e punës në të dyja anët e kufirit. Gjatë mëngjesit dhe mesditës së shtunë pala shqiptare ka punuar me 7 sportele në hyrje dhe 4 në dalje, ndërsa ajo greke ka vijuar të punojë me 3 sportele në hyrje dhe 3 në dalje.
Paralelisht me kthimin e emigrantëve në vendlindje, në Kakavijë është shënuar edhe një fluks i lartë i lëvizjes së këmbësorëve dhe automjeteve nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. “Gjatë 24 orëve të fundit nëpërmjet doganës së Kakavijës kanë udhëtuar në drejtim të shtetit fqinj rreth 6 mijë këmbësorë dhe 2 mijë automjete”, - thonë burime në Policinë Kufitare në Gjirokastër. Një fluks i lartë i lëvizjes në të dyja anët e kufirit është regjistruar gjatë ditës së shtunë edhe në doganën e Tri Urave, në rrethin e Përmetit. Edhe gjatë ditëve të ardhshme, stacionet kufitare të Kakavijës dhe Tri Urave pritet të përballen me një fluks të lartë të lëvizjes së këmbësorëve dhe automjeteve në të dyja anët e kufirit shqiptaro-grek.