Reshjet e borës, Tropoja pa ujë dhe energji
Në zonën verilindore të vendit reshjet e borës janë ndërprerë megjithatë komuna të thella malore vazhdojnë të jenë të izoluara nga bora ndërsa qarkullimi i automjeteve në akset nacionale është i kalueshëm vetëm me zinxhirë. Në Tropojë moti i keq dhe reshjet e dendura të borës kanë dëmtuar telat elektrikë të tensionit të lartë duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në qytetin e Bajram Currit. Qyteti ndodhet pa energji elektrike që nga ora 02. 30 minuta
e mëngjesit të djeshëm. Mësohet se ka kufizime të energjisë edhe në spitalin e qytetit, ndërsa është ndërprerë dhe furnizimi me ujë të pijshëm. Sipas OST-së ka stakime te Linjës Fushë Arrëz- Fierzë për shkak të motit të keq. Ndërsa, në Kukës mbeten të izoluar prej disa ditësh komunat Zapod, Arrën, Grykëcaj ndërsa ka probleme dhe në Tropojan. Akset Kukës-Qafë Mali, Kukës-Shishtavec, Kukës-Bushtricë kalohen vetëm me zinxhirë pasi trashësia e borës është rreth 50 centimetra. Edhe në rrethin e Pukës bora krijon vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Lëvizja e tyre është e mundshme vetëm me zinxhirë, ndërkohë nuk lejohet kalimi i mjeteve të tonazhit të lartë, për shkak të rrezikshmërisë që janë krijuar nga trashësia e borës dhe prania e akullit. Në Dibër dhe Bulqizë akset janë të kalueshme. Mbetet e izoluar komuna Lurë ku trashësia e borës i kalon 80 centimetra. Të bllokuara janë dhe fshatrat Tërnovë e vogël dhe Tërnovë e madhe. Në Mirditë ka probleme në aksin Kurbnesh-Lurë i cili momentalisht është bllokuar për shkak të rrëshqitjeve të dheut nga reshjet e shiut. Janë ende të bllokuara nga bora disa fshatra të komunës së Fanit.
Last Updated on E Enjte, 11 Shkurt 2010 21:26