E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Reshjet e dëborës, Policia: I pakalueshëm aksi Bypass – Qafa e Murrizit, vështirësi qarkullimi në disa rrugë

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Si pasojë e reshjeve të dëborës në akset rrugore në zonat malore të Shkodrës, Kukësit, Dibrës dhe Korçës, Policia e Shtetit apeloi sot drejtuesit e automjeteve që të tregojnë më shumë vigjilencë dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.

Policia e Shtetit bën të ditur se për shkak të reshjeve të dëborës në disa zona malore të vendit dhe të reshjeve të shiut në të gjitha qarqet e vendit, ka shtuar prezencën e punonjësve të Policisë Rrugore në terren dhe të Patrullave të Përgjithshme, me qëllim monitorimin e qarkullimit të automjeteve, për të bërë të mundur parandalimin e aksidenteve dhe për të ndihmuar përdoruesit e rrugës në nevojë.

Aktualisht, thekson Policia, ka vështirësi në qarkullim në akset rrugore Bajram Curri-Valbonë dhe Kërrnaj-Pac-Shimshan, në Kukës, Bogë-Qafë Thorë-Theth dhe Tamarë-Selcë-Vermosh, në Shkodër. Automjetet në këto akse duhet të kalojnë me zinxhirë.

Aksi rrugor Bypass-Qafa e Murrizit, në Dibër, aktualisht është i pakalueshëm, pasi firma kontraktore po punon për pastrimin e rrugës nga dëbora, njofton Policia.

Borëpastrueset ndodhen në terren dhe vijojnë punën për pastrimin e rrugëve nga dëbora dhe për hedhjen e kripës.

Njëkohësisht, shton Policia, masa janë marrë në të gjitha akset rrugore nacionale dhe urbane, për shkak të reshjeve të shiut.

Në këto kushte, Policia e Shtetit apelon për drejtuesit e automjeteve që të moderojnë shpejtësinë, të qëndrojnë në radhë në akset ku ka ngadalësim të lëvizjes dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara.

Policia bën të ditur se, në raste nevoje, përdoruesit e rrugës duhet të telefonojnë në numrin pa pagesë 112 dhe shërbimet e Policisë do të shkojnë menjëherë pranë tyre, për t’iu dhënë ndihmën e nevojshme.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›