Reshjet e dendura të borës godasin Evropën, rritet rreziku i ortekëve në vendpushimet dimërore

GJENEVË/VJENË, 17 shkurt /ATSH-DPA/- Rreziku i ortekëve në vendpushimet e sporteve dimërore të Evropës mbetet i lartë, për shkak të reshjeve të dendura të dëborës, sipas autoriteteve në Zvicër, Austri, Francë dhe Gjermani.
“Valais në Zvicër shpalli sot në mëngjes, paralajmërimin më të lartë për rrezikun e ortekëve, “Niveli 5”, ndërsa “Niveli 4″ mbetet në fuqi në të gjithë rajonin alpin”, raportoi Instituti WSL për Kërkime mbi Borën dhe Ortekët, në Davos.
Rrezik i lartë u raportua gjithashtu në Austrinë perëndimore – ku bora ka arritur trashësinë prej mbi 1,800 metra.
“Bora dhe reshjet e dëborës mund të shkaktojnë ortekë në Vorarlberg dhe pjesë të Tirolit”, thanë raportet.
Rreshje të mëtejshme të dendura të dëborës parashikohen në disa zona të Austrisë, këtë javë.
Zyrtarët italianë të shpëtimit malor bënë thirrje për kujdes të madh në male, veçanërisht në Piemonte, Luginën e Aostës dhe Tirolin Jugor.
Në Francë, shërbimi kombëtar i motit “Météo France” raportoi rrezik të lartë për ortekët.
Zyrtarët e shpëtimit malor shpallën rrezikun e “Nivelit 3” në Malet Tatra.
Bora në Alpet Gjermane shkaktoi rritjen e rrezikut të ortekëve.
Një skiator vdiq në Allgäu në borë të thellë, dhe nivelet e paralajmërimit 4 dhe 5 u shpallën në rajon – i cili kufizohet me Austrinë.
Autoritetet gjermane raportuan gjithashtu rrezik të ortekëve në Pyllin e Zi në jugperëndim, veçanërisht në rajonet përreth Feldbergut pranë kufirit zviceran.
Tre skiatorë që kishin lënë pistën dhe kishin shpërfillur paralajmërimet për ortekët, vdiqën në Alpet Franceze.
Të dielën, tre skiatorë vdiqën në Luginën e Aostës, dhe dy snowboardistë austriakë vdiqën në Tirol. //a.i/