Reshjet e mëdha të natës në Shkodër përkeqësojnë gjendjen e përmbytjeve në zonë

Shkodër, 6 janar, NOA Reshje të mëdha shiu kanë rënë gjatë gjithë natës në rrethin e Shkodrës, duke e përkeqësuar edhe më shumë gjendjen në të cilën janë zhytur rrethinat e kësaj zone për ditë të tëra. Mësohet sesi niveli i madh i reshjeve të rëna gjatë natës e kanë rritur edhe më tej nivelin e ujit të komunën e Dajçit në këtë rreth.
Vetëm dje në mbrëmje janë evakuuar nga banesat e tyre rreth 80 familje të kësaj komune, ndërkohë që në lagjet Ajasëm dhe Bahçallëk janë shpërndarë ushqime. Argjinatura në komunën e Dajçit po dëmtohet akoma edhe më shumë, duke e rritur shqetësimin e ekspertëve. Ndërkaq, Shtabi i Emergjencës gjatë ditës së sotme do të diskutojë mbi masat e reja që do të merren në kuadrin e shtimit të reshjeve dhe si pasojë, e vëllimit të ujit në kaskadat e hidrocentraleve të veriut. n.e/NOA