E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontratat e reja, si do fuqizohen spitalet rajonale

Për të ndalur fluksin e pacientëve që i drejtohen Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ISKSH do të investojë që cilësia e shërbimit shëndetësor të rritet edhe në spitalet rajonale. Me nënshkrimin e kontratave të reja me 39 spitalet publike, nga të cilat 4 spitale në nivel terciar, Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor do të përcaktojë definitivisht jo vetëm efikasitetin por edhe fatin e tyre. Ndonëse dihet që përqindja e shfrytëzimit të shtretërve në këto spitale është e ulët.
Kontratat
Në dhjetor të vitit të kaluar drejtoresha e ISKSH-së elvana Hana pati njoftuar se në fillim të muajit janar të këtij viti do të lidhen edhe kontratat e reja me spitalet. Më tej Hana deklaroi se me kontratat synohet aplikimi i formave të reja të vlerësimit të performancës së mjekëve, nëpërmjet matjes së një seti indikatorësh. “E gjithë reforma ka një drejtim që të fuqizojë spitalet rajonale. Ne do t’u kërkojmë të dhëna, do të investojmë që shërbimi cilësor të rritet në spitalet rajonale. Për këtë arsye ne do të fillojmë matjen e një seti indikatorësh sikurse përmenda më lart të cilët do t’i lidhim me pagesë shtesë e cila për vitin 2010 do të jetë në masën 5% e më pas do të vijojë të rritet”-vlerësoi Hana.
Risi në kontratën spitalore të vitit 2010 është aplikimi i formave të reja të vlerësimit të performancës së mjekëve, nëpërmjet matjes së një seti indikatorësh të cilët janë përqindja e shfrytëzimit të shtratit, përqindja e rishtrimeve përmes shërbimit te urgjencës brenda 72 orëve pas daljes nga pavijoni për të njëjtën diagnozë.
Gjithashtu parashikohet ngritja e strukturës së kostos në çdo spital. Llogaritja e kostos në të gjitha njësitë ku jepet shërbim në spital nëpërmjet një riformatimi dhe përmirësimi të evidencave statistikore të aktivitetit spitalor, synon që në të ardhmen, kontraktimi dhe financimi i spitaleve të bëhet jo mbi bazën e buxhetit historik, por mbi bazën e kostos reale për rast sipas diagnozave dhe grup diagnozave.
Kontratat e reja forcojnw rolin e kontrollit nëpërmjet zbatimit të sanksioneve në rastet e shkeljes së kontratës, ku një nga pikat e parashikuara lidhet me zbatimin e sistemit të referimit. Në rast të shkeljes së tij, gjoba do të jetë 10.000 lekë për rastin e parë dhe në rast të përsëritjes 30.000 lekë te reja e deri në masa të tjera administrative si propozim për largim nga puna.
Indikatorët
”Synimi ynë është që një pjesë e pagesës së spitaleve të bëhet në bazë të plotësimit të këtyre indikatorëve, në mënyrë që mjekët të kuptojnë se eficienca paguhet me buxhet shtese. Në fund të vitit, ISKSH do të aplikojë dhënien e bonusit në masën 5 % mbi buxhetin e planifikuar, si një metodë efikase për të stimuluar mjekët dhe për të rritur cilësisë së shërbimit”, u shpreh drejtoresha e ISKSH-së.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›