E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: Ftesa e Ramës? Po bashkëpunimit për të majtën

Zv/kryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, vlerëson deklaratën e Ramës, por shprehet se qëndrimet do të jenë individuale


Grupi i pesë themeluesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që dolën kundër bashkëqeverisjes me Sali Berishën, megjithëse të paorganizuar në një lëvizje të institucionalizuar, shprehet të hapur për të bashkëpunuar me çdo individ apo forcë politike që lufton për të mbrojtur interesat e elektoratit të majtë.


Këtë vullnet e ka shprehur dje Pëllumb Xhufi, i cili duke komentuar deklaratat e kreut në detyrë të PS-së, Edi Rama, për një bashkëpunim të mundshëm me atë pjesë të LSI-së që ka ruajtur vlerat e së majtës, ka theksuar se pavarësisht se nuk e sheh atë si një ftesë të drejtpërdrejtë, nuk përjashton mundësinë që së bashku me kolegët e vet, të punonte me të gjithë ata individë që kërkojnë të sjellin të majtën në pushtet.


Për këtë arsye, ai nuk sheh vend për ta konsideruar atë që shprehu Rama si diversion brenda radhëve të LSI-së, pasi sipas tij, qëndrimi i kryesocialistit ka në thelb vlerësimin për pozicionimin e palëve në debatin brenda kësaj force, jo vetëm karshi bashkëqeverisjes me Berishën, por edhe për bashkëpunimin mes së majtës.


"Nuk do ta konsideroja diversion një deklaratë të tillë, por thjesht një vlerësim sipas optikës së tij për qëndrimet që kanë mbajtur LSI-ja dhe individë të saj për zgjedhjet. Megjithatë, unë nuk do ta shihja këtë deklaratë as si një ftesë, por një shprehje të dëshirës së lidershipit të PS-së për të bashkëpunuar me ata që kanë mbajtur qëndrime të palëkundura ndaj Berishës.


Kjo për vetë faktin se grupi ynë përfaqëson pozitat fillestare të LSI-së që do të qëndrojë në opozitë me Berishën dhe do të mbështesë çdo politikë që i përgjigjet interesave të së majtës", - tha Xhufi, i kontaktuar nga "Shekulli".


Më tej, ai vlerëson se ajo që u vu re në fjalën që Rama mbajti në Kongresin e Jashtëzakonshëm të PS-së, ishte një ndarje e qartë që ai i bëri qëndrimit të mbajtur nga kreu i LSI-së Ilir Meta dhe pjesës tjetër të kësaj force, si kundrejt zgjedhjeve, ashtu edhe ndaj bashkëqeverisjes me Berishën.


"Rama në fjalën e vet bëri një ndarje mes atyre që gjykojnë se zgjedhjet ishin të manipuluar dhe jashtë standardeve dhe asaj pjese tjetër të LSI-së, që dy ditë pas zgjedhjeve kishte të njëjtin vlerësim, ashtu si edhe ne, dhe ditën e tretë pas zgjedhjeve ndryshojnë qëndrim dhe deklarojnë se zgjedhjet ishin arritje", - tha Xhufi.


Megjithatë, duket se gjithçka deri më tani mbetet në kuadrin e deklaratave, pasi pavarësisht dëshirës së Ramës për të bashkëpunuar me atë pjesë të LSI-së që është kundër qeverisjes me PD-në, nga ana tjetër nuk gjendet një terren i përshtatshëm për të bërë të mundur arritjen e një qëllimi të tillë. Kjo pasi, sipas Xhufit, zërat kundër marrëveshjes me Berishën brenda LSI-së mbeten individuale dhe qëndrimi që ata do të mbajnë është po ashtu individual.


"Unë besoj se drejtuesit e LSI-së që kanë dalë kundër një marrëveshjeje me Berishën dhe që janë konsideruar nga LSI-ja si të vetëpërjashtuar, do të mbajnë një qëndrim të vetin individual, pasi ne nuk përbëjmë një nismë apo fillesat e një grupi të organizuar apo të institucionalizuar", - u shpreh Xhufi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›