Defekt në jaht, Tritan Shehu rrezikon mbytjen në det
Jahti ku ndodhej deputeti ka pësuar defekt në det të hapur dhe e ka zënë stuhia. Shpëtohet me vështirësi, pas një ore
Një femër, kapitenia e jahtit, ka kërkuar ndihmë duke thënë se ishin katër persona në bord
VLORË - Ish-zv/Kryeministri dhe deputeti aktual, Tritan Shehu, ka rrezikuar dje pasdite mbytjen në ujërat e Vlorës, teksa po udhëtonte me një jaht. Mjeti ku ndodhej Shehu ka pësuar një defekt dhe më pas e ka zënë stuhia e papritur, që ka pushtuar dje Vlorën.
Një femër, e cila është edhe kapitenia e jahtit ku ndodheshin katër njerëz, ka njoftuar kapitanerinë e portit dhe për më shumë se një orë, forca të shumta detare janë vënë në kërkim të jahtit ku ndodhej edhe ish- zv/Kryeministri i PD-së.
Ai është gjendur në det të hapur dhe është tërhequr deri në molin e jahteve në Orikum. Burime të policisë lokale pohuan se deputeti Tritan Shehu është zbritur në breg dhe gëzon shëndet të plotë.
Policia e Vlorës pohoi se në orën 17.40, në kanalin 12 të radios, një mjet lundrues i tipit Jaht, me emrin "Jenesis" ka dhënë sinjalin "Mey Dey".
Me të marrë këtë sinjal, nga pjesa veriore e Sazanit, janë nisur dy anije të Rojës Bregdetare së bashku me Guardia di Finanza italiane. Sipas përshkrimeve, anijet që kanë dalë për ndihmë kanë pasur një distancë rreth tetë milje deri në afërsi të Karaburunit, ku edhe ndodhej mjeti i rrezikuar.
Koordinatat që ka dhënë anija, siç mësohet në kapitanerinë e portit, kanë qenë 2 kabël nga Kepi i Shën Janit në Karaburun. Në bord kanë qenë katër veta, ndërkohë që alarmi është dhënë nga kapitenia, femër.
Në orën 18.00 është njoftuar nga ana e shefit të shtabit të distriktit detar, A. Agastra, i cili ka konfirmuar se është lidhur me Jahtin dhe ka folur në telefon pikërisht me deputetin Tritan Shehu, i cili ndodhej në bord. Siç mësohet në drejtorinë e kufirit, operacioni i ndërhyrjes nuk ka qenë i lehtë, madje janë rrezikuar dhe anijet që kanë shkuar për ndihmë, pasi koha ka qenë shumë e keqe.
Po kështu, mësohet që një nga drejtuesit të ketë komunikuar me djalin e Tritan Shehut. Vetëm në orën 18.40 gjithçka është konfirmuar të jetë jashtë rrezikut. Pak minuta më pas, jahti ka hyrë në portin e Orikumit.
Burimet zyrtare pohuan se anija e vogël ishte nisur nga Saranda.
Mjeti lundrues ka dalë përgjatë bregdetit, ndërkohë që kur ka qenë në zonën e Karaburunit, ka hasur vështirësi. Për mjete të tilla, të cilat janë të tipit me vela dhe me një motor të vogël (ku ky i fundit ndihmon ankorimin në porte), moti i keq nuk premton normalitet.
Siç mësohet, gjithashtu, edhe dy mjete të tjera kanë dhënë sinjalet për ndihmë. Një prej tyre në strukturat e kufirit ka njoftuar se ndodhej në zonën e Potamit, ndërkohë që ka arritur të ankorohet më pas pa probleme në Himarë. Mjeti lundrues ka qenë një barkë, brenda së cilës ndodheshin disa të huaj.
Mjeti tjetër që ka njoftuar gjithashtu se ka ndeshur problematika ka qenë në gjirin e Vlorës. Jahti "Tiba 3" ka njoftuar se ka pasur tronditje nga moti i përkeqësuar, por ka arritur më pas të ankorohet në orët e mbrëmjes në kalatën e trageteve të portit të Vlorës.
Nga ana e kapitanerisë këto situata nuk janë të zakonshme në periudhën e verës. Ato përkufizohen si fortunal, pasi shpejtësia e erës i kalon 25 metër për sekondë, kufi të cilin era e ka tejkaluar dhe sot.