E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet e shiut, rritet niveli i HECE-ve në vend

Përmirësohet situata e prodhimit të energjisë elektrike në vend, si rezultat i reshjeve të shiut. Korporata elektroenergjitike shqiptare bën me dije se reshjet e fundit kanë ndikuar në rritjen e nivelit të ujit në HECE. Kështu niveli në hidrocentralin e Fierzës është rritur ndjeshëm duke arritur në kuotën e 284.45 metrave, ndërsa prurjet kanë arritur në 600 metër kub në sekond. Komani tashmë ka arritur në nivelin e 173.67 metrave, ndërsa prurjet anësore janë 430 metër kub në sekond. Ndërsa Vau i Dejës ka arritur në nivelin e 74.64 metrave dhe prurjet anësore kanë arritur në 130 metër kub në sekond. Rritja e nivelit të ujit në Kaskadën e Drinit ka sjellë si rezultat edhe rritjen e prodhimit të energjisë elektrike, duke arritur në 14 milion KW energji elektrike në ditë. Pavarësisht përmirësimit të situates, vazhdon importi i energjisë elektrike edhe pse tashmë është vetëm 7 milion KW-orë, duke u ulur në krahasim me muaj më parë. Përmirësimi i situatës energjitike është ndikur edhe prej uljes së konsumit të energjisë elektrike, që ka ardhur si rezultat i ngrohjes së motit. Sektori energjitik në vend u has më një situatë të vështirë si rezultat i mungesës së reshjeve. Për disa muaj me radhë Shqipëria u detyrua që të blinte energji elktrike me cmime të larta për plotësimin e nevojave në vend. Ndërkohë që reshjet e fundit po e stabilizojnë situatën në këtë sektor.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›