Reshjet ndihmuan bujqësinë

Ndonëse kohëve të fundit reshjet e vazhdueshme të shiut dhe borës kanë përfshirë vendin, megjithatë ato kanë pasur ndikim pozitiv në kulturat vjeshtore. Në fazën aktuale në të cilën ndodhet bima e grurit dhe plehërimi i tij, reshjet kanë qenë të mirëseardhura në këtë kohë.
Drejtori i Departamentit të Politikave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Isuf Cikaqi, i tha Radio Kosovës se reshjet mund të kenë ndikim negativ tek bimët vetëm nëse pas tyre krijohen vërshime.
“As bora dhe as temperaturat e ulëta nuk mund të shkaktojnë dëme tek të mbjelljet vjeshtore, pasi këto mbjellje gjatë dimrit përballojnë edhe temperaturat e ulëta deri në minus gradë celsius. I vetmi dëm që mund të bëhet në mbjelljet vjeshtore është vetëm nëse nga reshjet e mëdha mund të vihet deri tek vërshimet”, theksoi ai.
Sipas Cikaqit, kulturat perimore, që tashmë janë mbjellë në serra, mund të pësojnë dëme nëse pas këtyre reshjeve bien temperaturat. E për këtë arsye, ai i këshillon fermerët që të ndërmarrin masa për të siguruar ngrohje në serra në mënyrë që të mbrohen perimet.
“Aktualisht në këtë temperaturë kanë lulëzuar vetëm kajsia dhe pjeshka dhe ato mund të rrezikohen nga kjo borë. Ndërsa, kulturat perimore, të cilat tashmë janë mbjellë në serra, mund të pësojnë dëme nëse pas këtyre reshjeve bien temperaturat. E për këtë arsye, fermerët duhet të ndërmarrin masa për të siguruar ngrohje në serrat e tyre, për të mbrojtur perimet e tyre”, tha ai.
Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, këtë vit është arritur të shtohen sipërfaqet e tokave të punuara. Sipas statistikave nga kjo ministri, sivjet janë mbi 2 mijë hektarë më shumë të mbjella me kulturën e grurit në tërë territorin e Kosovës. /Indeksonline/