E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Reshjet në Durrës, AKMC: Po punohet për rikthimin në normalitet

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Për shkak të reshjeve të intensifikuara të shiut, në qytetin e Durrësit janë shfaqur disa problematika, të cilat po monitorohen dhe trajtohen nga strukturat përkatëse.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile informoi sot se një ekskavator i Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit ka mbërritur në Kanalin e Ujërave të Larta për ndërhyrje dhe pastrimin e kanaleve.

Sipas AKMC-së, ka rritje të nivelit të ujit në rrugë, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve. Ka prani të ujit në disa zona të qytetit si dhe në Shkozet, ish-magazinat e Agrotransportit, Zona e Plazhit, Ish-Këneta, Stadiumi dhe Lagjja “17 Nëntori”.

Uji ka depërtuar gjithashtu në oborret e disa shtëpive në zonën e njohur si “Ura e Dajlanit” dhe ish-Këneta.

Niveli i ujit në Kanalin e Ujërave të Larta në unazën e qytetit ka arritur në një nivel kritik.

Po ashtu, ka prani të ujit edhe në sipërfaqe bujqësore në njësinë administrative Sukth.

Strukturat vendore janë angazhuar për të riparuar pasojat e krijuara dhe po punojnë intensivisht për të menaxhuar situatën.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bën të ditur se do të vijojë të ndjekë situatën, për të koordinuar forcat deri në normalizimin e situatës.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›