E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, arrestohet për vjedhje Qetësor Ferrunaj

30/01/2012  Porositi 3 shtetas të tjerë të prisnin tubat e hekurit që përdoreshin për vaditje

VLORE- Arrestohet Qetësor Ferrunaj, fituesi i edicionit të dytë të Big Brother Albania me akuzën dhe dyshimet për kryerjen e një vjedhjeje. Ngjarja ka ndodhur në Orikum ku 3 persona janë ndaluar pasi po prisnin tubat e vaditjeve me qëllim vjedhjen e tyre. Pas deklarimeve në polici mësohet se ata ishin paguar nga Qetësor Ferrunaj për kryerjen e këtij akti.

Ngjarja

Policia e Vlorës ka vënë në pranga dje me akuzën e vjedhjes së tubave metalikë, Qetësor Ferrunajn, personazh i njohur për pjesëmarrje në emisionin Big Brother Albania 2.

Burimet zyrtare thanë se rreth orës 11:00 nga shërbimet e patrullës së përgjithshme të komisariatit të policisë Vlorë janë kapur në flagrancë, duke prerë disa tubo hekuri që ndodheshin përgjatë rrugës që të çon për bregdetin e Orikumit, shtetasit: Daniel Sadikaj, 22 vjeç, banues në fshatin Lubonjë të rrethit Vlorë; Gjovalin Mikaj, 28 vjeç 28, banues në fshatin Bogë, Malësi e Madhe dhe Arsen Fisti, 24 vjeç, banues në fshatin Dukat i Ri Vlorë. Nga shërbimet e policisë është bërë shoqërimi i këtyre shtetasve në komisariat dhe nga hetimet e kryera ka rezultuar se tubat e hekurit që po priheshin nga shtetasit e sipërpërmendur janë në pronësi të Drejtorisë së Ujërave Vlorë dhe kanë shërbyer për vaditje. Këto tubo ishin nxjerrë nga toka nga shtetasi Qetësor Merko Ferrunaj, vjeç 37, banues në Orikum; dhe se këta persona ishin punësuar për prerjen e tubove. Nga komisariati i policisë Vlorë është bërë ndalimi i shtetasit Qetësor Ferrunaj për veprën penale “vjedhje” parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal, dhe ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit Daniel Sadikaj. Ky nuk është rasti i parë i ndalimit të Qetësor Ferrunajt, pasi ka pasur përvoja me policinë edhe vitin që shkoi kur u ndalua për shkak të protestave të banorëve të Dukatit për pronat e tyre në Orikum.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›