Berisha-Sejdiu: Respektimi i kufijve, jetike për paqen në Ballkan

Kryeministri Sali Berisha vlerëson se paqja në rajonin e Ballkanit mund të garantohet vetëm nëpërmjet respektimit të kufijve. Gjatë një takimi me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, kreu i qeverisë shqiptare tha se tendenca për ndarjen e territoreve, është një spirale që bie ndesh me idealin e popujve të ballkanit. “Përpjekjet për ndarjen e territoreve është një përpjekje e rrezikshme për të krijuar një spirale të re që bie ndesh me idealin e popujve të Ballkanit. Gjej rastin të ftoj Serbinë, të bashkëpunojë me Kosovën në të mirë të stabilitetit në rajon”- tha kryeministri Sali Berisha. Duke u ndalur te vendimi i GJND-së, Berisha tha se ishte shumë i drejtë. Kryeminsitri i përcolli presidentit Sejdiu urimet më të mira për këtë arritje të madhe. “Unë e përshëndeta përzemërisht presidentin Sejdiu për këtë arritje të madhe dhe historike e cila ndodhi në tempullin e drejtësisë botërore. Ky vendim është i një rëndësie dhe vlerë të jashtëzakonshme, jo vetëm për Kosovën por për të drejtën ndërkombëtare në tërësi”- theksoi Berisha. Sipas tij rrallë ndonjëherë në historinë e botës mund të ketë patur përputhje mes vendimit apo ligjit dhe të drejtës si kësaj radhe për Kosovën. “Vendimi ishte një vlerësimin i të drejtave të mëdha të Kosovës. Kam bindjen se vendimi është një kontribut madhor për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit dhe vendimi është i bazuar fund e krye me rastin e Kosovës si rast unik. E parë me sytë e ligjit realiteti në Kosovë ishte tërësisht në përputhje me rezolutat ndërkombëtare”- deklaroi më tej, shefi i ekzekutitivit, Sali Berisha.
...