E Diel, 1 Nëntor 2026

DASh: Shqipëria, vendburim i trafikut të qenieve njerëzore

Raporti për trafikimin i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Shqipëria cilësohet si burim trafikimi, prostitucioni dhe pune të detyruar, duke përfshirë edhe detyrimin e fëmijëve për të lypur. “Shqipëria është një vend burimi për burra, gra, dhe fëmijë që u nënshtrohen trafikimit të personave, në mënyrë specifike prostitucionit të detyruar dhe punës së detyruar, përfshi lypjen e detyruar të fëmijëve. Viktimat shqiptare u nënshtrohen kushteve të punës së detyruar dhe trafikimit të seksit brenda Shqipërisë dhe Greqisë, Italisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Europës Perëndimore”, shkruhet në raportin e DASh (Departamentit të Shtetit të SHBA). Afro gjysma e viktimave që u referuan për përkujdesje brenda vendit gjatë vitit 2009 ishin shqiptarë; këto ishin kryesisht gra dhe vajza që u nënshtroheshin kushteve të prostitucionit të detyruar në hotele dhe rezidenca private në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Fëmijët në radhë të parë shfrytëzoheshin për lypje dhe forma të tjera të punës së detyruar. Ka të dhëna që burra shqiptarë u janë nënshtruar kushteve të punës së detyruar në sektorin bujqësor në Greqi dhe vende të tjera fqinje.

Standardet

Sipas raportit, qeveria e Shqipërisë nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, megjithatë është duke bërë përpjekje domethënëse për ta bërë këtë. “Qeveria vazhdoi të përmirësonte kapacitetin e saj për të identifikuar, mbrojtur dhe riintegruar viktimat e trafikimit. Ajo ndoqi penalisht me sukses disa kundërvajtës të trafikimit të seksit, duke çuar në imponimin e ndëshkimeve domethënëse gjatë periudhës së raportimit. Në mars 2009, qeveria miratoi një ndryshim në ligjin mbi ndihmën sociale, i cili do t’u ofrojë viktimave të trafikimit të njëjtat përfitime sociale si dhe grupeve të tjera në rrezik në Shqipëri dhe financim të qeverisë për strehët. Qeveria vazhdon të gjurmojë dhe analizojë tendencat e trafikimit me anë të një baze të dhënash kombëtare. Zyrtarët e qeverisë kanë rritur vëmendjen publike ndaj trafikimit në Shqipëri. Megjithatë pati shqetësime serioze mbi mbrojtjen e viktimave që dëshmonin kundër trafikuesve të tyre. Qeveria nuk ndoqi penalisht në mënyrë energjike kundërvajtësit e trafikimit të punës dhe nuk trajtoi sa duhet bashkëfajësinë e lidhur me trafikimin. Mungesa e vullnetit politik dhe bashkëpunimit në disa agjenci qeveritare kyçe pengoi aftësinë e gjithanshme të qeverisë për të ndjekur penalisht në mënyrë energjike të gjitha format e trafikimit”, thuhet në raportin e DASh.

Rekomandimet

Shqipëria duhet të sigurojë identifikimin proaktiv të personave që shfrytëzohen brenda sektorëve të tregtisë dhe punës në Shqipëri, si dhe të intensifikojë partneritetet me OJQ-të për të rritur zbulimin dhe referimin e të gjitha viktimave të trafikimit; të përmirësojë sigurinë e viktimave që bashkëpunojnë si dëshmitarë në gjykatë, duke zbatuar në mënyrë më energjike ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve për viktima të tilla, si dhe duke ndjekur planet për të krijuar një avokat viktimë-dëshmitar brenda Prokurorisë së Përgjithshme; të shqyrtojë ngritjen e një fondi të përgjithshëm për mbrojtjen dhe riintegrimin e viktimave duke përdorur asetet e kapura nga Gjykata e Krimeve të Rënda prej kundërvajtësve të trafikimit; të finalizojë projektligjin që u ofron ndihmë riintegrimi viktimave, pasi ata të largohen nga strehët, si dhe ndihmë strehëve; të përmirësojë identifikimin, mbrojtjen dhe shërbimet e specializuara për viktimat fëmijë të trafikimit; të ndjekë penalisht në mënyrë agresive kundërvajtësit trafikues të punës dhe zyrtarët ligjzbatues që janë bashkëfajtorë në trafikimin njerëzor; dhe të vazhdojë të përmirësojë përpjekjet për grumbullimin dhe analizën e të dhënave në gjurmimin e hetimeve, ndjekjeve penale dhe ndëshkimeve.

Ndjekja penale

Në raport thuhet se qeveria e Shqipërisë vazhdoi përpjekjet e saj për zbatimin e ligjit kundër trafikimit gjatë periudhës së raportimit. Shqipëria ndalon penalisht trafikimin e seksit dhe punës me anë të Kodit të saj Penal, i cili parashikon ndëshkime nga 5 deri në 15 vjet burgim. Këto ndëshkime janë mjaftueshëm shtrënguese dhe kapërcejnë ato të parashikuara për krime të tjera të rënda, të tilla si përdhunimi. Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda raportuan hetimin e 35 trafikuesve të dyshuar në vitin 2009. Qeveria ndoqi penalisht 31 kundërvajtës të dyshuar për trafikim në vitin 2009, duke dënuar 11 prej tyre; kjo është në kontrast me 26 kundërvajtës trafikimi të dënuar në vitin 2008 dhe shtatë në vitin 2007. Të gjitha ndjekjet penale dhe dënimet kishin të bënin me trafikimin e seksit ndaj femrave dhe fëmijëve. Në vitin 2009, dënimet e imponuara për kundërvajtësit e dënuar të trafikimit varionin nga 5 deri në 16 vjet burgim. Korrupsioni i kudogjendur në të gjitha nivelet dhe sektorët e shoqërisë Shqiptare pengoi seriozisht aftësinë e qeverisë për të trajtuar problemin e saj të trafikimit, sipas vëzhguesve vendas. Ndërkohë që nuk pati fillime ndjekjeje penale për bashkëfajësi të lidhur me trafikimin, Gjykata e Lartë hodhi poshtë dënimet e trafikantëve në dy çështje në vitin 2009, duke ngritur shqetësime lidhur me paanshmërinë e gjykatës. Në janar 2009, qeveria raportoi se kishte dyfishuar numrin e hetuesve policorë për të hetuar trafikimin. Gjykata e Krimeve të Rënda kapi dhe konfiskoi me sukses asete dhe prona të trafikantëve me vlerë 268,115 dollarë gjatë vitit 2009. Qeveria, në partneritet me aktorë të tjerë përkatës, vazhdoi trajnimin rutinë anti-trafikim për rekrutët e policisë, personel policor në shërbim, si dhe persona të tjerë në vijën e parë gjatë vitit 2009. Qeveria gjithashtu vazhdoi trajnimin antitrafikim për 200 gjyqtarë, prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore.

Mbrojtja

Qeveria e Shqipërisë mori disa hapa për të përmirësuar përpjekjet e saj për të identifikuar dhe mbrojtur viktimat e trafikimit gjatë vitit 2009. Qeveria vuri në zbatim Mekanizmin Kombëtar të Referimit dhe zhvilloi takime me aktorë përkatës për të përmirësuar funksionimin e tij. Mekanizmi identifikoi 94 viktima të trafikimit gjatë vitit 2009, krahasuar me 108 në vitin 2008. Streha e vetme e qeverisë ndihmoi 24 viktima dhe OJQ-të ndihmuan 70 të tilla gjatë periudhës së raportimit. Në vitin 2009, qeveria ofroi trajnim profesional falas për 38 viktima, u ofroi 11 viktimave hua mikrokredie për të filluar biznese private dhe integroi pesë viktima në shkollë. Në janar 2010 miratoi një projektligj për të ofruar ndihmë sociale për viktimat e trafikimit gjatë kohës kur largohen nga strehët e deri sa gjejnë punësim. Strehët e administruara nga OJQ-të vazhduan të mbështeteshin në radhë të parë te fondet e donatorëve të ndërkombëtarëve, me qëllim që të ofronin shërbime të gjithanshme për viktimat e trafikimit. Qeveria vazhdoi të financonte dhe administronte një qendër pritjeje që strehonte si viktimat e trafikimit, ashtu edhe migrantë të huaj të çrregullt të identifikuar brenda territorit të vendit; megjithatë, liria e lëvizjes e viktimave shpesh kufizohet në këtë qendër të sigurisë së lartë. Qeveria nuk penalizoi viktimat për akte të paligjshme të kryera në lidhje me të qenit e tyre të trafikuara dhe, me ligj ofroi alternativa ligjore ndaj largimit të viktimave të huaja në vende ku mund të përballeshin me vështirësi apo ndëshkime, edhe pse asnjë viktimë nuk mori alternative të tilla ligjore gjatë periudhës së raportimit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›