E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia do ta ndihmojë Gjilanin

Kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, dhe ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan, në një takim që patën të enjten, janë zotuar për një bashkëpunim në të gjitha fushat, me theks të veçantë në fushën e arsimit dhe ekonomisë.

Mustafa tha se ambasadorja Ozan gjithmonë e ka përkrahur Gjilanin dhe jetën integruese në institucionet komunale të komunitetit turk. “Turqia dhe bizneset nga ky shtet e kanë vërshuar Kosovën dhe ne jemi të interesuar që Turqia të zbarkojë fuqishëm me investime në fushën e ekonomisë”, tha Mustafa, raporton Rajonipress.

Mustafa tha se “Tika” turke ka investuar shumë në Gjilan, derisa tha se nga vet ambasadorja ka marrë mbështetje për një investim simbolik në një shkollë të Gjilanit me inventar apo pajisje tjera shkollore.

“Për ne partnerët strategjikë më i madh mbeten Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja dhe nuk e kemi asnjë arsye që me këta partnerë të mos ecim tutje në të gjitha fushat”, tha Mustafa.

Ndërkaq ambasadorja Ozan tha se është e inkurajuar dhe e kënaqur me gjendjen e komunitetit turk në komunën e Gjilanit. “Jam e kënaqur me tretmanin që Gjilani iu bënë komuniteteve dhe në veçanti atij turk. Ne kemi bashkëpunim të mirë me Gjilanin dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen me investime në fushën e ekonomisë dhe arsimit”, tha Ozan.

Ambasadorja Ozan më vonë ka takuar edhe disa OJQ dhe shoqata kulturore turke, ku ka bashkëbiseduar me për zhvillimin dhe avancimin e jetës kulturore./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›