Takim me mbretin Zog, monarkun e palodhur
Mbreti Zog, i pari monark i vetëshpallur i Shqipërisë, megjithëse në fron për më pak se një vit, njihet si një nga më punëtorët në botë. Tetëmbëdhjetë orë pune në ditë, me vetëm një ndërprerje dhjetë minutëshe një herë në dy orë, sa për të bërë gjimnastikë brenda izolimit të pallatit të tij të bardhë, është çka ai konsideron një ditë të zakonshme pune. Mëngjeseve ngrihet në orën gjashtë; pi një filxhan me kafe turke, thith një cigare dhe zhytet menjëherë në punë. Me përjashtim të një vizite disa minutëshe te nëna e tij, me të cilën është shumë i lidhur, kurrë nuk largohet nga tavolina e punës deri në mesnatë.
Argëtimi i vetëm është ndonjë lojë rastësore me qentë e tij të parapëlqyer, në mjediset e ruajtura mirë të pallatit. Në darkë, orët e gjata thyhen vetëm kur Mbreti luan meloditë e tij të parapëlqyera amerikane në një gramafon të dhuruar nga ambasadori Hart.
Miqtë e monarkut shqiptar thonë se atij i mungon prirja e delegimit të detyrave te të tjerët, qofshin këta edhe ministra të kabinetit. Rrjedhimisht, ai këmbëngul që çdo gjë ta bëjë vetë, duke e drejtuar vendin i vetëm.
Por nëse ai e bazon qeverisjen e Shqipërisë te një individ, kjo të jep përshtypjen e një diktatori. Tiparet e tij të buta; hunda si shqiponjë, goja delikate, flokët biondë, mustaqet e vogla ngjyrëgështenjë, dinjiteti goditës dhe rezervimi me një aurë aristokratike, sugjerojnë më shumë një fisnik francez ose austriak, që kurrë nuk pati nevojë të ngrejë dorë apo ta vrasë mendjen në punë të së përditshmes. Sovrani më i ri i Europës nuk është diletant apo mbret sallonesh. Ai i qeveris një milion nënshtetasit e tij me dorë të fortë e të palëkundur, por të drejtë dhe i jep mbretërisë një shembull të shkëlqyer me punën e tij të palodhur.
Megjithëse Zogu u konvertua brenda natës nga mbështetësit e tij nga një prijës i zakonshëm fisnor te pushteti dhe lavdia e një monarku, ata që kanë privilegjin ta takojnë goditen nga sjellja e tij mbretërore, sharmi i gjithsejtë, përzemërsia dhe gjenialiteti. Kur korrespondenti i ‘Associated Press’ vizitoi Pallatin, e gjeti mbretin në mes të një grumbulli të madh shqiponjash mali, të cilat i kishte zbutur vetë.
“Meqë Shqipëria është një vend kreshtash dhe shkëmbinjsh, ne kemi pothuajse po aq shqiponja saç ka Amerika trumcakë”, tha duke buzëqeshur, Mbreti, në gjermanishte perfekte. “Ashtu si shqiponjat në mbarë botën edhe ajo shqiptare është krenare, sfidante, kurajoze dhe e pavarur. Prandaj ajo është bërë simbol i lirisë sonë kombëtare, ashtu si dhe në Amerikë. Njerëzit e mi m’i sjellin si dhuratë në sasi të mëdha dhe tani unë kam kaq shumë sa më mjaftojnë edhe për të eksportuar disa në Amerikë”. Pastaj me të qeshur shtoi: “Por unë e di, amerikanët kanë mjaftueshëm shqiponja dhe liri”.
St. Petersburg Times – 9 qershor, 1929