Retro/Histori: 7 tetor 1885 Niels Bohr
Niels Henrik David Bohr, fizikant dhe kimist danez, i cili dha kontribut të madh për të kuptuar strukturën atomike dhe mekanikën kuantike, për të cilat mori dhe çmimin “Nobel” në vitin 1922, u lind më 7 tetor 1885. Bohr u lind në Kopenhagen dhe fillimisht u mor me futboll në një nga skuadrat kryesore të ligës daneze. Më pas, në vitin 1903 u regjistrua ne Universitetin e Kopenhagenit, fillimisht duke studiuar matematikë dhe filozofi. Në vitin 1905, i shtyre nga një medalje ari që do të jepej nga Akademia Mbretërore Daneze për shkencën dhe letrat, kreu një sërë eksperimentesh për të shqyrtuar vetitë e tensionit sipërfaqësor, duke përdorur laboratorin e të atit që e njihte shumë mirë që në fëmijëri. Eseja e tij për temën e mësipërme fitoi vend të parë dhe ai vendosi të braktisë filozofinë për t’iu futur fizikës. Në bazë të teorive të Rutherfordit, Bohr-i botoi në vitin 1913 modelin e tij të strukturës atomike, ku hidhte teorinë se elektronet udhëtojnë në orbita rreth bërthamës së atomit dhe vetitë kimike të elementit janë të përcaktuara kryesisht nga numri i elektroneve në shtresën e jashtme.