E Shtunë, 31 Tetor 2026

Retro/Press: Kushtrimi KRIZË! an-e-m'anë Shqipnisë...

Prof. Dr.Phil Krist Maloki

Kushtrimi Krizë! po vlon nëpër Shqipní... Krizë! thërrasin katundet, Krizë! bërtasin qytetet... Krizë! thërret Shqipnia mbarë, dhe nëpër kushtrimin e saj të përvluem përzihen brithmat e fëmijve për bukë, përzihen vajtimet e përlotueme të grave, përzihen krismat e pushkëve vetvrasëse të sa e sa burrave shqiptarë... S'ka dyshim: trupin e popullit dhe të shtetit shqiptar po e tundin dridhmet e etheve të forta. Porse, ah! se këto ethe nuk janë ato të rinisë, ethe biologjike, të cilat pervëlojnë nji herë çdo trup e organizëm të ri brënda zhvillimit apor rritjes së tij, jo, ethet e krizës sonë janë ethe shkatërrimi, ethe çprishjeje, ethe kah - skëterra!...

Shkaku?...

Me nji naivitet të foshnjeve po pyetshin nji ditë gazetat e Tiranës kah shkaku i krizës sonë. E dijtun: deri vonë ato kanë qenë zanë aq fort me tertevertime personale e polemike kundra shoqja-shoqes sa s'kan pasë ngê me i falë nji vështrim sado të vogël nevojave të popullit... Dhe mos të kishte qenë "Ora" me disa artikuj të saj në kohën e fundit, ky kushtrim i pikëllueshëm i gjithë popullit shqiptar do të kishte mbetë edhe sot i pandigjuem ndër qarqet e nalta qeveritare... Sidokjoft: kemi punë ma të randsishme!... Porse m'anë tjetër vet zgjidhjet e problemit, a ma mirë: shkaket e krizës që na i parashtron gazeta "Ora" na rrëfejnë kjart se sa larg nga faktet gjenden edhe ata që interesohen sadopak edhe me të vertetë rreth problemeve ekonomike shqiptare... Dhe si nji sarkazëm diabolike na duket që disa artikuj të fletores "Shqipëri e Ré" (Gjikam, Bubani), të shkruem qysh para nji vjeti me mjaft zell, kompetencë e me statistika në dorë që me ia hapë sytë çdo qorri e me ia tundë kafazin e mendjës çdo qeveritari e gazetari, nuk ia kanë tërhjekë vërejtjen askujt andej kah Tirana... Sot fjala Krizë! âsht bâ modë në Tiranë... sidomos mbasi dha urdhën fori ma i nalt i shtetit tonë që të formohet nji komision i veçantë e ta studjojë me vëmendje problemin e krizës... Dhe namëta: sot po vlojnë kafehanet e Tiranës me kompetenta t'ekonomisë... dhe namëta: kushtrimi Krizë! ka leje të vlojë haptas nëpër gjithë Shqipninë mbarë...

Apor, jo?...

Jo, ashtu fare jo! Sepse në Tiranën zyrtare kriza kuptohet vetem si nji çâshtje e bilancit tregtar, si nji problem financiar, e hiç gja tjeter... Ashkollsun!... Dhe nuk i shkon kujt nëpër mend, apor nuk do t'a dije kush, se mbrapa njasaj mospërputhje mes importimit e eksportimit fshehet nji hyder krizore, nji shpirt sketerre, nji lugat shpirtnuer që po ia zatetë frymën gjithë popullit shqiptar... Nuk i shkon kujt ndër mend, apor nuk guxon kush ta dijë, se kriza shqiptare âsht nji kompleks krizash (ekonomike, financiare, psikologjike, sociale, politike etj.) dhe se bilanci tregtar ka pak a shumë nji randsi inferiore... Kështu pra, s'ka shpresë që gazetat e Tiranës apo kompetentët ekonomista të qeverisë shqiptare të merren sot o aty shpejt me shkaket e verteta të krizës dhe me zgjidhjen e problemit të saj... ashtu si e lypte nevoja e orës së dymbëdhjetë të shtetit të lirë shqiptar...

Por: aman mos të keqkuptohemi! S'kemi kurfarë qëllimi, direkt a indirekt, të drejtojmë akuza kundra qeverisë apor regjimit të sotshem në Shqipní. Bindja jonë âsht kryekput që kriza e sotme s'âsht tjetër veçse fryti i nji zhvillimi historik. Na të gjithë lëngojmë nëpër nji sistem të damshem e antikombtar, të cilin na e kanë lanë mirazë pikërisht kohnat ma të hershme, qysh nga byzantinët e të tjerë pas tyne. Mjaftojnë këtu të përmendim vetem vepren e Lumo Skëndos (Plagët t'ona), botue më 1924, dhe fjalën që mbajti Fan Noli në parlamentin e Tiranës me 24 Shtator 1923 (rreth pesë anarkive qé mundojnë popullin!)* dhe të konstatojmë që kriza e sotshme shqiptare nuk i detyrohet vetem qeverisë apor regjimit të sotshëm. Faji i të gjithë qeverive shqiptare qysh më 1912 ka qenë e âsht: që nuk janë mundue e s'kanë dijtë me e ndryshue e me e zhdukë njat sistem të damshëm nga zemrat e popullit shqiptar. Perkundrazi, - e këtu qëndron akuza e jonë ma e flakët kundra tyne, - qeverinat e derisotshme shqiptare jo veç s'kan marr masa kundra njatij sistemi, a ma mirë: botëshikimi antikombtar, porse, nëpër moskujdesjen e tyne, kanë lanë me u fikë e me u zhduk edhe njato pak ndjenja kolektive dhe kombëtare që kanë vlue deri më 1912 ndër zemrat shqiptare. Dhe, (pa dashtë të lozim rolin e një Kassandre!) mund të thom me gjithë pikllimin e zemrës sonë, se me krizën ekonomike po i kërcnohet popullit edhe kriza shpirtnore kombëtare, se me falimentin ekonomik të shtetit tonë, mund t'i bahet vorri edhe gjithë kombit shqiptar!... Videant consules!!... et caveant!!...

Graz 1934.(Marrë me shkurtime nga revista Phoenix)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›