Drogë në autobusin Sarandë-Athinë, pranga shoferit në kërkim porositësi
Sekuestrohen 10 kilogramë hashash në formën e bohçeve, ishte fshehur në një kuti në bagazhin e autobusit dhe do të tregtohej në Greqi. Policia e zbuloi falë informatave
Kakavijë-Droga e fshehur në kuti në bagazhin e autobusit ishte mbështjellë më shumë se tri herë me natriban, i cili fshihte një kuti të re po ashtu të mbështjellë mirë. Për agjentët e policisë Kufitare në Kakavijë ka qenë si të hapnin një tufë matrioshkash dhe, siç kanë treguar vetë dje, shoferi i autobusit që ishte nisur drejt Athinës u është lutur të mos e hapin pakon. Efektivët që kishin informacion se në të kishte drogë kanë shkuar deri te kutia e fundit, në të cilën kishte 10 kg bohçe hashashi. Shoferi u arrestua, ndërsa policia është në kërkim të personit që i ka dhënë atij drogën si porosi për ta kaluar matanë kufirit.
Informacioni
Brenda pak orësh strukturat e Policisë së Shtetit në Qarkun e Gjirokastrës kanë bllokuar një ngarkesë të dytë me lëndë narkotike, e cila kësaj radhe kishte si destinacion Greqinë fqinje.
Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë Rajonale të Kufirit në Gjirokastër, efektivat e Policisë Kufitare të Stacionit të Kakavijes, kanë marrë informacion në rrugë operative se në një nga autobusët e linjës Sarandë - Athinë, të firmës “Saranda Ekspres”, ndodhej një pako kartoni e madhe e mbushur me lëndë narkotike. Mbi bazën e këtyre informacioneve, menjëherë janë përforcuar shërbimet në Pikën e Kalimit në Kakavije, ku gjatë gjithë mbrëmjes kanë ushtruar kontrolle të rrepta në të gjithë autobusët e linjave ndërkombëtare Sarandë-Athinë. “Rreth orës 23.30, të së shtunës, në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavije, ka mbërritur autobusi me targa SR 65 73 B, që drejtohej nga Pëllumb Danaj, 55-vjeçar, nga Delvina, autobus në të cilin dyshohej se ndodhej pakoja me lëndë narkotike”, thonë burimet policore. Menjëherë, shërbimet e Policisë Kufitare që kryejnë shërbim në këtë pikë, kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm të të gjitha çantave dhe valixheve që ndodheshin në bagazhin e autobusit. “Nga kontrolli i ushtruar, në bagazhin e autobusit policia ka zbuluar një kuti të madhe kartoni në formë katrore, e mbështjellë me letër natriban ngjyrë të bardhë, ku në brendësi të saj futur në mes të disa tabakëve gipsi, ndodhej një pako tjetër kartoni në formë katrore, e mbështjellë me letër natriban, ku brenda saj kishte lëndë narkotike marijuanë në formën e bohçes”, njoftoi policia.
Arrestimi
Sipas burimeve policore, në momentet e para, pa u hapur, kutia shoferi i autobusit ka deklaruar se në këtë pako kartoni ka pajisje elektrike dhe do ta çonte në Athinë, pasi ia kishte dhënë një person nga Saranda, ndërkohë që djali i tij do ta priste pakon në Athinë. Madje shoferi i autobusit ka kundërshtuar punonjësit e policisë kufitare duke kërkuar që pakoja të mos hapej dhe të grisej letra natriban që ishte mbështjellë, sepse dëmtoheshin pajisjet elektrike. “Megjithë këmbënguljen e drejtuesit të autobusit, ne e hapëm kutinë në fjalë, duke zbuluar edhe ngarkesën me lëndë narkotike që ndodhej në të”, thonë efektivat e policisë kufitare, pjesëmarrëse në këtë operacion antidrogë.
Gjatë veprimeve të mëtejshme grupi hetimor zbuloi se në pakon e kartonit ndodheshin 10 kilogramë marijuanë në formën e bohçes. “Nga veprimet e para hetimore si dhe nga përdorimi i metodave speciale të hetimit të kryera nga ana e specialistëve të Sektorit Kundër Narkotikëve, rezultoi se shoferi i autrobusit, P. Danaj, është pjesë e këtij trafiku të lëndës narkotike”, thonë burime ne grupin hetimor. Mbi provat e mbledhura specialistët antidrogë në Gjirokastër kanë bërë ndalimin e P. Sanajt, pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Gjithashtu është bërë shpallja në kërkim policor e personit nga Saranda që i ka dhënë kutinë me lëndë narkotike shoferit të autobusit, por për arsye hetimi policia nuk publikon identitetin e tij. Për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje në bashkëpunim edhe me policinë greke, efektivat e policisë së Gjirokastrës po punojnë për ndalimin e personit i cili do të priste ngarkesën me 10 kg marijuanë në Athinë. Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.