Pacolli merr konfirmim për njohje edhe nga Sao Tome

Gjatë këtij takimi, zëvendëskryeministri Pacolli ka informuar edhe njëherë, kryeministrin Trovoada me arritjet demokratike që Republika e Kosovës, ka shënuar që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008. Në këtë kontekst, zëvendëskryeministri Pacolli, ripërsëriti kërkesën për njohjen e Republikës së Kosovës, dhe fillimin e bashkëpunimit diplomatik, ekonomik dhe kulturor mes dy vendeve.
"Në anën tjetër, kryeministri i Republikës se Sao Tome dhe Principe, Patrice Emery Trovoada, i premtoi zëvendëskryeministrit Pacolli, se shteti i tij, ka filluar procedurën për njohjen e Republikës së Kosovës dhe se kjo njohje do të vije shumë shpejt", thuhet në një njoftim të Zyrës së Pacollit.
Ky është takimi i dytë që zëvendëskryeministri Pacolli zhvilloi me kryeministrin Trovoada. Me 30 tetor në Paris, ata kanë zhvilluar edhe një takim tjetër, në të cilin po ashtu temë kryesore ishte kërkesa për njohjen e Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran.
Sipas agjendës, sot zëvendëskryeministri Pacolli do të qëndrojë në Guinenë Ekuatoriale, ku do të takohet me presidentin e këtij vendi, Teodoro Obiang.