Retro/Press: Si vdes xhandari?
S’ja mbaj mënt emërin: se qysh athere kanë shkuar shumë vjet. Vetëm di se ish një burrë mesatar, fodull, trim dhe i paditur. I pëlqente jeta e “rrezikshme”; prandaj u bë xhandar. Kishte qejf ta shkonte natën nëpër pyll duke luftuar me hajdutët. Merrte tre napolona rrogë; dy ja dërgonte fëmijës; një e prishte vetë.
Shumë herë kish luftuar me kriminelë; kish vrarë tre a katër; kish zënë të gjallë pes a gjashtë. Një ditë u plagos në këmbë, por pas një muaji u shërua. Dhe dolli përsëri malevet.
S’dinte të këndonte shqip xhandari i shkret, se s’kish pasur rast të mësonte: dhe sa herë që shtypi fliste për “vrasje kriminelash” shokët ja këndonin dhe ky ndëgjonte. Si çdo njeri, kish dhe ky ambicjet e tij legjitime, donte të shikonte një herë emërin e tij në gazetë, dhe në kish të drejtë. Për gazetat, kur vritesh nonjë kriminel, lavdëronin energjin e Kapitenit e të Gjendarmërisë, të Prefektit dhe kurrë emëri i xhandarit nuk u shënua. E vërteta është se Kapiteni jepte urdhëra nga thellësirat e zyrës; një gjë të tillë e bënj dhe unë; s’është e rrezikshme t’i japësh urdhëra tjetrit të vejë të vrasë kriminelët; por është shumë zor të veç t’i vraç në mes të shiut e të dëborës. Prandaj xhandari rrinte u mërzitur. Kish frikë se mos vdiste pa parë në gazetë emërin e tij, s’dinte kujt t’i drejtohesh.
Një ditë dimëri ra në pushkë me hajdutë. Luftoi si burrë, vrau dy me duart e tij, por i treti ia shpoi zorrët. Ra xhandari i mjerë, i vrerosur, la pas gruan dhe katër fëmijë; dhe s’e pa kurrë emërin e tij në gazetë: “Me energjin e Kapitenit të Gjendarmësisë e vranë dy kriminelë dhe një xhandar ra trimrisht në fushën e nderit”. Emri i xhandarit u vu në gazetë, këtë radhë, por xhandari s’e këndoi. Prandaj vdiq i helmuar.
STI-STI