Retro/Press: CHEKREZI lajmëron botimin e fjalorit FRENGJISHT-Shqip
Sillet në dijeni të publikut të Shqipëris se kam gati në shtyp një fjalor mjaft të sosur Frengjisht Shqip, të hartuar në bazë të fjalorit praktik dhe më të përdorshëm të Frengjishtes, Garnier që përmban edhe gjithë fjalët e huaja që përdoren në gjuhën e sotme të Francës.
Ata q’e kanë parë dhe studiuar sado pak këtë fjalorin t’im, e kanë gjetur më të mirë se fjalorët e zakonshëm nga Frëngjishtja në gjuhët ë ndryshme ballkanike, veçanërisht se në këtë fjalor jepen definicionet në gjuhën shqipe për gjithë fjalët dhe termat ndërkombëtare që janë marrë nga latinishtja dhe greqishtja dhe që janë në përdorim edhe në gjuhën tonë.
Por nga shkaku i shpenzimeve të mëdha të botimit, ky fjalor q’ësht i pari i llojit të tij që botohet në Shqipëri, pa u siguruar që më parë shpenzimet e shtypit sidomos, që janë fort të rënda për botimin e një libri si ky.
Sepse ky fjalor, që përmban gadi 40.000 fjalë, nga ato që janë në përdorim të përditshëm në Frëngjishten, do të përbëjë një librë prej 600 gjer 700 faqe, në format të përdorshëm, me gërma të vogla që janë të zakonshme në botimin e fjalorve.
Nga ana tjetër, fjalori nuk është nga ato libra që këndohen një herë dhe pastaj hidhen në një kënd. Përkundrazi fjalorët janë në përdorim çdo ditë, dhe çdo orë të ditës.
Prandaj duhet të jenë të qepur dhe të lidhur mirë, që të durojmë atë përdorim të përditshëm.
Që të munt të vihet në shtyp, pra, ky fjalor i nevojshëm për mësimin e Frëngjishtes sa edhe për zhvillimin letrar të gjuhës shqipe, duhet që publiku intelektual i Shqipëris të ndihmojë në botimin e tij me anë të parapagimesh.
Ashtu, simbas llogarive të shtypshkronjave, çmimi i një fjalori të këtillë të lidhur mirë nuk munt të jetë më pak se 10 franga; me këtë çmim shiten po thua edhe fjalorët e tjerë në gjuhët e ndryshem ballkanike, ndonse n’ato gjuhë shitja është shumë më e madhe se në Shqipëri.
Tue qenë, pra, se numuri i fjalorëve të lidhur posaçërisht do të kufizohet n’aq copë sa të jenë të parapaguar që tash, u lutem dashamirësve dhe përkrahësve të botimit të fjalorit Frëngjisht-Shqip të dërgojnë n’adresën t’ime ose t’ia japin përfaqësuesve të mij të autorizuar çmimin e fjalorit të lidhur bashkë me porosin deri më 15 të Qershorit që vjen.
Për çdo parapagim do të jepet dëftesë e posaçme.
Me nderime C.A.CHEKREZI TIRANE
SHËNIM i “Minervës”
Që kemi shumë përparim-dashës dhe arsim-dashës në Shqipëri, për ktë s’ka dyshim. Po dashja e një të mire, në realitet, s’ka ndonjë rëndësi po qe se nuk është aq e fortë sa t’a shtyje njerinë të veprojë. Me fjalë të tjera, dashurija e përparimit mbetet një fjalë e thatë po qe se nuk e tregojmë me fakte këtë dashuri t’onë.
Z.Çekrezi, zotësija e të cilit si punëtor në lëmin e letërsisë dhe të rrënimit të problemeve që kanë të bëjnë me përparimin e vëndit t’onë është e pa mohuarshme, na jep rastin më të mirë, më të fjeshtë e më të lehtë për të treguar në se e duam me të vërtetë përparimin kulturor të vendit t’onë, nga i cili përparim varen të gjitha përparimet e tjera. Se me të vërtetë Shqipërija në fushën e kulturës ka nevojë shumë të madhe për një fjalor si ky që ka pregatitur Z. Kostë Çekrezi. Rrethanat sot janë të tilla në Shqipëri qe për të plotësuar disa nevoja të domosdoshme, si kjo e një fjalori praktik frengjisht shqip. Lypet me doemos përpjekja dhe ndihma e të gjithë shqiptarëve përparim-dashës.
Si thamë në fillim, në Shqipëri ka shumë shqiptarë të tillë, e pra s’duhet as pak të jemi pesimit për t’ardhmen dhe ne të Minervës jemi të sigurtë se thirja e Z-it Çekrezi për realizimin e botimit të fjalorit në fjalë do t’ushtojë në ndërgjegjen e të gjithë patriotëve shqiptarë, të cilët do t’i japin me gjithë qejf ndihmën e tyre për këtë punë të mbarë. Me të vërtetë jemi në një kohë krize, por për para dobisë që i sigurohet vëndit nga botimi i fjalorit, nuk duhet të kursehemi me as një mënyrë.